Ushtarët e FSK-së këtë javë nisen për në misionin e parë paqeruajtës

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë ceremonisë së Epopesë së UÇK-së bëri të ditur se ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës do të nisen këtë javë në mision paqeruajtës.

Gjatë fjalës së saj, Osmani iu drejtua ushtarëve të shtetit, duke ua kujtuar misionin fisnik për mbrojtën e vendit, ndërkaq theksoi se ky mision është sikurse ai i Adem Jasharit dikur.

“Sikurse Adem Jashari dikur, sot ju keni përpara misionin fisnik që ta ruani Kosovën, që ajo të mbetet një dhe e tërë. Këtë javë ushtarakët tanë do t’i përcjellim për misionin e parë paqeruajtës bashkë me forcat e Iowas. Ju do ta nderoni emrin e ushtrisë sonë, sikurse edhe emrin e shtetit të Republikës së Kosovës”, tha Osmani.

Ajo theksoi se mision strategjik i shtetit do të jetë anëtarësimi në NATO.

“Ju do ta nderoni emrin e ushtrisë sonë, sikurse edhe emrin e shtetit të Republikës së Kosovës. Krah miqve amerikanë ju po e bëni historinë tonë të re, të shtetit që kontribuon në paqen globale. Krahë NATO-s, FSK-ja po zhvillohet edhe më tej si forcë ushtarake, ndërvepruese me forcat e NATO-s. Prandaj anëtarësimi në NATO, mbetet objektiv strategjik i shtetit tonë”, tha Osmani.

Ndryshe, gjatë fjalimit të saj, ajo kujtoi sakrificën e Komandant, Adem Jasharit në 23-vjetorin e Epopesë.

“Rezistenca e Komandantit Adem Jashari përqoi mesazhin e qartë se liria nuk ka kompromis”, tha ndër të tjera Osmani.

Osmani kujtoi edhe fjalët e Komandantit, të cilat janë të publikuara në një video, ku Osmani theksoi se ai i ka pasur të qarta qëllimet e tij dhe atë që e deshi për vendin e vet.

“Në një nga video incizimet e pakta, ai e kishte të qartë se çfarë deshti për vendin e vet, lirinë e vendit pa asnjë kusht. Në atë incizim thoshte “Jam këmbëngulës në parimet që jemi marrë vesh. Besa-besë deri në vdekje. Vetëm besa-besë deri në vdekje, tjetër nuk ka, në grykë të pushkës”. Faleminderit Komandant. Ne sot duhet të përpiqemi që fëmijëve tua mbajmë të freskët kujtimin për liri. Duke ua kujtuar atyre rrugën e zorshme deri te liria”, tha Osmani gjatë ceremonisë së FSK-së për Epopenë e UÇK-së e cila ka filluar sot më 5 mars 2021.

Ndryshe, Kuvajti është shteti në të cilin Forca e Sigurisë së Kosovës do të shërbejë me mision paqeruajtës, përkrah ushtrisë amerikane.

Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama ka konfirmuar se marrëveshja është nënshkruar me shtetin e Kuvajtit dhe kontingjenti i Forcës do të nisë misionin në muajin mars të këtij viti, i cili pritet të zgjasë gjashtë muaj.