Ballina Lajmet Kosovë Ushtarët e FSK-së marrin dy çmime në Kroaci

Ushtarët e FSK-së marrin dy çmime në Kroaci

Togu i Xhenierëve Luftarak nga Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka shënuar një sukses në garën shumëkombëshe “Dita e Unitetit”, e cila u zhvillua në kuadër të ushtrimit fushor “Defender Europe ’25”, konkretisht në komponentën “Immediate Response ’25”, në Republikën e Kroacisë.

Në këtë garë, dy ekipe të xhenierëve të FSK-së përfaqësuan Kosovën, duke përballuar me sukses prova intensive fizike, teknike dhe bashkëpunuese.

Ata u përballën me ekipe nga Kroacia, Gjermania dhe Sllovenia, duke treguar nivel të lartë profesionalizmi dhe përgatitje operacionale.

“Me një performancë të dalluar, ekipet nga Kosova siguruan vendin e parë dhe të tretë nga gjithsej 15 ekipe pjesëmarrëse, duke konfirmuar edhe një herë përkushtimin dhe aftësitë e pjesëtarëve të FSK-së”.

Ky përfaqësim në Kroaci shënon angazhimin e parë ndërkombëtar për Togun e Xhenierëve Luftarak, njësi e re e krijuar brenda FSK-së.

Dislokimi i tyre në Kroaci u realizua në bashkëpunim me Brigadën e Mekanizuar të Forcave të Armatosura Kroate, në kuadër të një prej stërvitjeve më të mëdha shumëkombëshe në Evropë.