Ushtria gjermane shqyrton rekrutimin e shtetasve të BE-së

Shtatë vjet pasi Gjermania hoqi dorë nga kërkesa e detyrueshme ndaj shtetasve të vet për t’iu bashkuar ushtrisë, Inspektori i Përgjithshëm i Bundesverit, Eberhard Zorn, pohoi se po shqyrtohet mundësia e punësimit të qytetarëve të BE-së në pozicionet e ekspertëve.

Forcat gjermane, sipas Zorn, “duhet të shikojnë në të gjitha drejtimet në kohën kur ka mungesë të personelit të kualifikuar”, e këtu përmendi në mënyrë të veçantë mjekët dhe specialistët e IT-së.

Forcat e armatosura të Gjermanisë përballen prej kohësh me probleme që i kanë nxitur zyrtarët atje të synojnë rritjen e personelit ushtarak me 21 000 vetë deri në vitin 2025.

Autoritetet kanë premtuar veç të tjerash edhe shtim të buxhetit të mbrojtjes brenda 6 vjetësh nga 1.2% në 1.5% të Prodhimit të Brendshem Bruto. Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen tha në intervistën e saj të fundit se ushtrisë gjermane i janë shtuar 6 500 trupa për dy vjet, ndërsa në 7 vjetët e ardhshme pritet që ajo të ketë 203 000 trupa.

12% e personelit ushtarak gjerman, sipas Von der Leyen, tani përbëhet nga gratë./tch