Ushtria izraelite: Pas vrasjes së gazetares së Al Jazeera-s qëndrojnë palestinezët

Gazetarja e Al Jazeera-s, Shireen Abu Akleh, u qëllua për vdekje teksa mbulonte bastisjen izraelite në Jenin

Ushtria izraelite tha se gazetarja e Al Jazeera-s u vra nga të shtënat palestineze në Bregun Perëndimor, raporton Anadolu Agency (AA).

“Vlerësimet fillestare tregojnë se…gazetarja e Al Jazeera-s, Shireen Abu Akleh, u vra nga persona të armatosur palestinezë në kampin Jenin, ndërsa po bënte një mbulim lajmesh”, shkroi zëdhënësi i ushtrisë, Avichay Adraee, në një postim në Twitter.

Abu Akleh, 51-vjeç, u qëllua për vdekje teksa mbulonte një bastisje izraelite në qytetin Jenin sot në mëngjes. Gazetari tjetër, Ali Al-Samoudi, u qëllua pas shpine, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë.

Kanali Al Jazeera me bazë në Doha akuzoi forcat izraelite për vrasjen e qëllimshme të gazetares së tyre “me gjakftohtësi”. Ata e quajtën vrasjen një “krim të urryer, i cili synon vetëm të pengojë mediat të kryejnë detyrën e tyre”.

Al-Samoudi tha më herët se Abu Akleh dhe gazetarë të tjerë u sulmuan pranë shkollave të UNRWA-s në Jenin ndërsa mbulonin sulmin izraelit.

“Ne ishim në shënjestër të drejtpërdrejtë nga forcat pushtuese”, tha ai në deklaratat e transmetuara nga agjencia shtetërore e lajmeve Wafa.

“Vendi ku ishin të pranishëm gazetarët ishte i qartë për ushtarët okupatorë dhe nuk kishte njerëz të armatosur apo përleshje në atë zonë”, shtoi ai.

Videot në platformat e mediave sociale treguan njerëz që bartnin gazetaren e Al Jazeera-s në një makinë, ndërsa ajo kishte veshur një jelek antiplumb ku shkruhej “Press”.

Ushtria izraelite në deklaratat e mëparshme tha se forcat e ushtrisë nisën një fushatë në kampin e refugjatëve Jenin për të arrestuar palestinezët e kërkuar, duke pretenduar se gazetarja mund të jetë qëlluar nga palestinezët ndërsa ata u përleshën me forcat izraelite, të cilat “u përgjigjën me zjarr, pa shkaktuar asnjë viktimë”.

Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, dënoi më parë vrasjen e Abu Akleh, duke thënë se ishte një “vrasje” nga forcat izraelite, duke konsideruar Izraelin plotësisht përgjegjëse për vdekjen e saj.

Shireen Abu Akleh ka lindur në Kuds në vitin 1971 dhe ishte diplomuar për degën Gazetari dhe Media në Universitetin Yarmouk në Jordani. /aa