Ushtria izraelite: Për vdekjen e 31 pengjeve në Gaza njoftuam familjet e tyre

Ushtria izraelite njoftoi se 31 pengje, qytetarë të Izraelit, kanë humbur jetën në Rripin e Gazës dhe se këtë ia kanë njoftuar familjeve të tyre, transmeton Anadolu.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari në konferencën për media tha se “Familjeve të 31 personave të rrëmbyer u njoftuam se të dashurit e tyre të rrëmbyer kanë humbur jetën në Gaza”.

Hagari tha se edhe familjeve të tjera u kanë përcjellë informacionet e konfirmuara që posedojë lidhur me fatin dhe situatën e të afërmve të tyre dhe se vazhdojnë punimet për të siguruar kushtet e nevojshme për rikthimin në vendin e tyre për të gjithë të rrëmbyerit.

Duke vënë në dukje se forcat e ushtrisë izraelite vazhdojnë luftën në Khan Younis në jug të Rripit të Gazës, Hagari mbrojti idenë se kanë thelluar suksesin e tyre në veri të Gazës.

Zëdhënësi Hagari tha se njësitë speciale dhe Shërbimi i Inteligjencës së Brendshme Izraelite Shin-Bet (Shabak) po veprojnë në tunelet në Khan Younis dhe se po përdorin teknologji të avancuar dhe informacione të sakta të inteligjencës për të përcaktuar pozicionet nëntokësore strategjike të Hamasit.

Pasi pretendoi se krahas disa vendeve ku fshihen liderët e Hamasit dhe nga ku ato drejtojnë luftën kanë gjetur edhe disa vende ku mbahen pengjet izraelite, Hagari tha: “Ne po ndërmarrim sulme të reja ushtarake dhe po shkatërrojmë infrastrukturën e Hamasit. Aktualisht ushtria izraelite ndodhet në mesin e një operacioni ushtarak në rajonin bregdetar të Gazës. Detajet do t’i njoftojmë më pas”.

Pengjet izraelite në Gaza

Brigadat Izzeddin Kassam, krahu i armatosur i Hamasit, më 7 tetor 2023 nisi sulm gjithëpërfshirës si “kundërpërgjigje ndaj shkeljeve të vazhdueshme ndaj palestinezëve dhe vlerave të shenjta kryesisht Xhamisë Al-Aksa” si dhe mori peng shumë izraelitë.

Në “pauzën humanitare” 4 ditore të dhënë më 24 nëntor 2023 ndaj konflikteve në Gaza dhe e cila u zgjat më pas për 3 ditë, u liruan reciprokisht 81 pengje izraelite dhe 240 palestinezë. Sipas ushtrisë izraelite, në Rripin e Gazës ndodhen ende 136 pengje izraelite.

Në sulmet që Izraeli ka kryer ndaj Rripit të Gazës që nga 7 tetori 2023 e deri më tani, përfshirë të paktën 12 mijë fëmijë dhe 8.190 gra janë vrarë 27.585 palestinezë si dhe janë plagosur 66.978 të tjerë.

Nën rrënoja ende ndodhen mijëra të vrarë ndërsa po shkatërrohet edhe infrastruktura civile duke shënjestruar spitalet dhe institucionet arsimore në të cilët është strehuar popullata.