Ushtria kineze hyn në Hong Kong

Trupat e ushtrisë kineze hynë në rajonin e Hong Kongut, duke zhvilluar rotacionin rutinë të garnizonit. Ndonëse trupat hynë gjatë natës dhe media shtetërore njoftoi në kohë për lëvizjet, sipas analistëve një veprim i tillë mund të ndikojë negativisht në rajonin e përfshirë prej tre muajsh nga protestat pro demokracisë.

Kina zhvilloi të enjten rotacionin e trupave që mban të dislokuara në garnizonin e Hong Kongut, ditë përpara rifillimit të protestave të planifikuara pro demokracisë. Media shtetërore kineze e përshkroi lëvizjen e trupave në orët e para të mëngjesit si një veprim rutinë, ndërsa për diplomatët aziatikë dhe perëndimorë në ish-koloninë britanike ky ishte një veprim i pritur.

Pavarësisht se kjo është një lëvizje rutinë, sipas analistëve ajo pritet të ndezë tensionit në “rajonin e posaçëm administrativ” të Hong Kongut, i cili iu rikthye Kinës në vitin 1997.

Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Xinhua, ushtria e Kinës do të japë kontribut të madh dhe “të ri” për të ruajtur prosperitetin dhe stabilitetin e Hong Kongut.

Ushtria përfundoi rotacionin rutinë të trupave në Hong Kong, me forcat ajrore, tokësore dhe detare që hynë në territor, thuhet në njoftimin e agjencisë.

Kina ka denoncuar vazhdimisht protestat në Hong Kong dhe ka akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë se po ndërhyjnë në punët e brendshme të rajonit. Pekini gjithashtu ka dërguar paralajmërime të qarta për të dislokuar ushtrinë nëse policia e rajonit nuk ruan dot rendin dhe qetësinë.

Guvernatorja e Hong Kongut, Carrie Lam gjithashtu nuk ka përjashtuar mundësinë që administrata e saj të kërkojë ndihmë nga ushtria. Gjatë një konference shtypi të martën, ajo tha se dhuna po bëhej më serioze, por u shpreh e bindur se qeveria mund t’i bënte ballë gjendjes së krijuar./Ora News