Ushtria siriane vendosi kontroll të plotë mbi rrethin strategjik al-Tabkah në provincën Raka, pasi dëboi forcat e grupit terrorist YPG/SDF, raportoi sot media shtetërore, transmeton Anadolu.
Departamenti i Operacioneve i Ushtrisë Siriane tha se forcat qeveritare siguruan rrethin dhe e pastruan atë nga terroristët e YPG/SDG, sipas Agjencisë Siriane Arabe të Lajmeve (SANA).
Drejtoria e Medias dhe e Informacionit e Ministrisë së Mbrojtjes njoftoi se 483 anëtarë të grupit terrorist kanë kontaktuar autoritetet për të dezertuar.
Në deklaratë u tha se 181 prej tyre janë dorëzuar pranë forcave të sigurisë.
Po ashtu, Komanda e Operacioneve i tha SANA-s se forcat e ushtrisë kanë marrë kontrollin e Digës së Eufratit.
Qeveria siriane njoftoi se SDF-ja ka kryer ekzekutime të të ndaluarve dhe të burgosurve në al-Tabkah, pak para se të tërhiqej nga qyteti pas avancimit të ushtrisë herët të dielën në mëngjes.
Në një deklaratë të transmetuar nga SANA, qeveria tha: “Qeveria siriane dënon ashpër veprimet e SDF-së dhe grupeve të lidhura me organizatën terroriste Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), për ekzekutimin e të ndaluarve dhe të burgosurve në qytetin al-Tabkah në rrethinën e provincës Raka, pas tërheqjes së tyre nga qyteti”.
“Ekzekutimi i të burgosurve dhe të ndaluarve, veçanërisht i civilëve mes tyre, përbën një krim të plotë sipas Konventave të Gjenevës dhe përfaqëson një shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare humanitare”, thuhet në deklaratë.
“Kjo sjellje kriminale pasqyron natyrën milicore të SDF-së dhe metodat e saj të marrjes peng të civilëve dhe të burgosurve,” shtohet më tej.
Qeveria siriane e mbajti SDF-në plotësisht përgjegjëse dhe u zotua për përgjegjësi ligjore të drejtë ndaj familjeve të viktimave.
Megjithëse YPG/SDF-ja kishte deklaruar më herët se do të tërhiqej nga territoret e pushtuara në perëndim të lumit Eufrat drejt bregut lindor, grupi vazhdon të mbajë nën kontroll disa zona përgjatë lumit.
Raportohet se përplasjet kanë vazhduar mes forcave qeveritare dhe grupit terrorist në rajonet ku pushtimi vazhdon.



