Vala e të nxehtit po djeg Pakistanin

Doktorët në qytetin me popullsinë më të madhe në Pakistan u kanë bërë thirrje njerëzve që të bëhen gati për valën e të nxehtit që pritet të arrijë deri në 50 gradë celsius. Të gjithë pakistanezëve u është kërkuar që të shmangin diellin dhe të mbajnë veten të hidratuar
Azia Jugore është përballur me temperatura të larta që prej muajit mars të këtij viti.

Në qytetin e Karachit në Pakistan, popullsia e as arkitektura nuk mund t’i bëjnë ballë këtij të nxehti.

Ka shqetësime për shëndetin me lagështinë e madhe si pengesë që trupi të ftohet.

Përveç problemeve shëndetësore, mungesa e energjisë elektrike do të pamundësojë ftohjen e dhomave.

Meteorologët kanë tërhequr vërejtjen se temperaturat mund të arrijnë deri në 50 gradë celsius.

“Në muajt maj dhe qershor zakonisht është i nxehti i tillë. Në Karachi sistemi i shtypjes së ulët mbi det shkakton këtë të nxehtë. Por mund të jetë edhe shkaku i aktiviteteve ciklonike. Vitin e kaluar, 3-4 ditë ishin tmerrësisht të nxehta shkaku i aktivitetit të tillë”, ka theksuar doktori pakistanez, Sardar Sarfaraz.

Ambientalistët thonë se ndikimi i temperaturave është rritur për shkak të mungesës së hapësirave të gjelbra dhe pemëve në qytetet e mëdha si Karachi.

“Tani krejt klima ka ndryshuar. Në qytetet e mëdha afër detit nuk mund t’i bëni ballë të nxehtit që tashmë ka shkatërruar edhe këtë qytet. Është lakmia për beton dhe ndërtesa. Nuk do të funksionojë nëse nuk ka hapësira të gjelbra”, ka theksuar Masood Lohar, ekspert i klimës.

Në korridoret e spitaleve dëgjohet zhurma e kondicionerëve. Doktorët kanë këshilluar njerëzit që të qëndrojnë brenda dhe të pinë ujë sa të munden, me qëllim që të shmangin sulmin e të nxehtit.

Qindra njerëz vdiqën nga i nxehti i madh që goditi Karachin gjatë vitit 2015.

Situata është përkeqësuar me mungesën e madhe të energjisë elektrike. Në shumë qytete reduktimet e energjisë elektrike zgjasin deri në tetë orë.

Shumë pakistanezë kanë blerë gjeneratorë dhe flladitëse me bateri për shkak të mungesës së madhe të energjisë elektrike. /koha