Varhelyi: Kosova do marrë si donacion nga BE rreth 100 mijë vaksina Pfizer

Komisioneri për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi është takuar sot në sallën “1 Tetori” me kryeministrin e vendit, Albin Kurti.

Varhelyi ka thënë se BE do t’i sjellë 610 mijë vaksina në Ballkanin Përendimor, dhe se afër 100 mijë prej tyre do t’i ndahen Kosovës, shkruan lajmi.net.

Ai tutje ka thënë se në qershor do të vijnë furnizime tjera, dhe se me to do të mund të vaksinohet i gjithë personeli shëndetësor.

“ Jemi duke i sjellë 610 mijë vaksina Ballkanit Përendimor, edhe Kosova do t’i marrë 100 mijë vaksina të Pfizer. I gjithë sektori shëndetësor i Kosovës do të mund të vaksinohet me furnizimet që vijnë në qershor. Mendoj që ky është  kontributi më i rëndësishëm që mund të bëhet për përfundimin e pandemisë. Ky është vetëm furnizimi i parë dhe do të vazhdojmë të punojmë për të siguruar edhe më shumë”, ka thënë ai.

Varhelyi tutje ka thënë se Kosova ka qenë në qendër të fokusit të BE-së që nga fillimi i pandemisë, duke fillur nga ndihmat me mjete mbrojtëse, e deri tek ndihmat financiare dhe vaksinat.

“Ne kemi përjcellë Kosovën gjatë gjithë kohës së pandemisë, duke filluar nga mjetet e para, maska, ventilatorë e furnizime tjera si dhe ndihmë financiare për të shpëtuar ekonominë nga pandemia. Shpresoj që ky të jetë hapi i fundit në luftën kundër pandemisë. Për ne kjo nënkupton dhe tregon se ne kujdesemi për Ballkanin Përendimor dhe për Kosovën”, ka thënë Varhelyi.