Varshavë – Migrantët shkatërrojnë barrierën dhe depërtojnë në territorin polak

Dy grupe të mëdha migrantësh depërtuan përmes kufirit nga Bjellorusia për në territorin polak.

”Disa dhjetëra njerëz arritën të shkatërrojnë barrierat pranë fshatrave Krynki dhe Bialowieza dhe të kalojnë kufirin”, njoftoi agjencia polake e lajmeve PAP.

Autoritetet e forcave kufitare theksuan se ”në të dyja rastet barrierat u shkatërruan me dhunë”.

Polonia refuzon të lejojë emigrantët të hyjnë në territorin e saj dhe në javët e fundit ka dërguar qindra përforcime në kufi, si dhe ka ngritur një gardh me tela me gjemba, në një përpjekje për të ndaluar çdo tentativë depërtimi nga migrantët.

Bashkimi Evropian akuzon Minskun se ndihmon emigrantët që përpiqen të arrijnë kufijtë e jashtëm të bllokut në Poloni, Letoni dhe Lituani, si hakmarrje ndaj sanksioneve perëndimore ndaj Bjellorusisë për represion politik. /atsh