Blloku ungjilloro-sionist synon të margjinalizojë doktrinën e drejtësisë universale, duke e zëvendësuar mesazhin e paqes me një politikë të jashtme të orientuar drejt Apokalipsit.
Nga Canan Tercan, Daily Sabah
Thellimi i hendekut midis Papës Leonit XIV dhe presidentit Donald Trump përfaqëson një përplasje historike midis realizmit politik dhe etikës universale.
Ndonëse fërkimet ideologjike nisën që në kohën e Papa Françeskut, sulmet e fundit të Trumpit shënojnë një kapitull më të paqëndrueshëm në tensionin midis fuqisë politike dhe autoritetit fetar.
Duke e quajtur Papën “të dobët ndaj krimit” dhe duke pretenduar se “nëse unë nuk do të isha në Shtëpinë e Bardhë, Leoni nuk do të ishte në Vatikan”, Trump i ka kaluar kufijtë diplomatikë.
Kjo nuk është thjesht një kritikë, por një sulm ndaj pavarësisë dhe legjitimitetit sovran të Vatikanit. Për administratën Trump, Vatikani shihet si një “korporatë” ose “shtet rival”, ndërsa Selia e Shenjtë vazhdon të veprojë si një busull morale globale.
Agresiviteti i Trump pasqyron përpjekjen e bllokut ungjilloro-sionist për të zëvendësuar doktrinën e drejtësisë universale të Kishës me një politikë të jashtme të orientuar drejt apokalipsit. Ky grupim, i cili përbën shtyllën kurrizore të mbështetjes së Trumpit, e sheh gjeopolitikën jo përmes diplomacisë, por përmes thjerrëzës së profecive biblike.
Për ungjillorët sionistë, mbështetja e pakushtëzuar ndaj politikave ekspansioniste të Izraelit dhe lufta ndaj “armiqve biblikë” si Irani, nuk janë thjesht opsione diplomatike, por detyrime hyjnore që i paraprijnë “Ardhjes së Dytë”.
Ky vizion “mesianik” bie ndesh me qasjen e kujdesshme dhe paqësore të Vatikanit. Duke refuzuar që t’i bashkohet strategjive shtrënguese ndaj vendeve si Irani apo Venezuela, Vatikani i mohon bllokut ungjillor legjitimitetin moral që ai kërkon për të justifikuar luftërat e reja.
Për ungjillorët, mbrojtja e “vlerave judeo-kristiane”, shërben si një mburojë ideologjike për të mbuluar transaksionalizmin politik, duke e shndërruar besimin në një mjet për dominim global. Por fërkimi aktual nuk është i izoluar.
Në vitin 2003, Papa Gjon Pali II kundërshtoi pushtimin e Irakut nga George W. Bush, një qëndrim që koha e vërtetoi. Sot, Vatikani mban një qëndrim pro paqes në Ukrainë, Gazë dhe Nigeri.
Në Nigeri, Vatikani kundërshtoi përpjekjen e administratës Trump për ta quajtur terrorizmin një “kryqëzatë fetare”, duke këmbëngulur se ai prek si krishterët, ashtu edhe myslimanët. Ky refuzim për të ushqyer narrativat e konfliktit fetar ka rritur armiqësinë e Trumpit.
Një fenomen interesant është heshtja e partive të djathta katolike në Evropë. Në Spanjë, partia VOX dhe Santiago Abascal, që shpesh përdorin identitetin katolik për vota, kanë heshtur para fyerjeve ndaj Papës, duke i dhënë përparësi aleancës me SHBA-në dhe Izraelin.
Ironikisht, reagimi më i ashpër në mbrojtje të Papës erdhi nga kryeministri ateist Pedro Sánchez. Në kontrast, Italia tregoi një unitet ndërpartiak; edhe Giorgia Meloni e cilësoi retorikën e Trump-it si “mungesë respekti”.
Ndërkohë në Francë Marine Le Pen heshti, ndërsa Emmanuel Macron ofroi mbështetje për Selinë e Shenjtë. Vatikani mbetet i palëkundur, duke refuzuar të bëhet pjesë e komiteteve të paqes të udhëhequra nga SHBA (si ai për Gazën), duke këmbëngulur se ky është rol i OKB-së. Konflikti mes Trump-it dhe Vatikanit pritet të vijojë, ndërsa Papa mbetet te parimi biblik: “Mjerë ata që përdorin emrin e Zotit për interesa ushtarake, ekonomike apo politike”. /tesheshi








