Ballina Artikuj Metodologjia e Ehlu Sunetit dhe Xhemati në thirrjen islame

Metodologjia e Ehlu Sunetit dhe Xhemati në thirrjen islame

Metodologjia e Ehlu Sunetit dhe Xhematit në thirrjen drejt Allahut të Lartësuar mbështetet mbi parimet e saj themelore, të nxjerra nga Kurani dhe Suneti. Ajo realizon njëshmërinë e Allahut si themel dhe pikënisje, me synimin për t’i nxjerrë njerëzit nga errësirat e shirkut dhe injorancës drejt dritës së besimit në Allahun e vetëm, pa shok dhe pa asnjë të adhuruar me të drejtë përveç Tij.

Ehlu Suneti dhe Xhemati mbështeten në dije, urtësi dhe këshillë të bukur, nuk tregojnë fanatizëm ndaj mendimeve ixhtihadore dhe e pranojnë parimin e mospajtimit të vlefshëm në çështjet dytësore.

Mbështetja në Kuran dhe Sunet

E gjithë metodologjia buron nga Kurani dhe Suneti, sipas kuptimit të selefit të këtij umeti. Këto dy burime janë referenca themelore në çdo çështje, ashtu siç ka thënë Pejgamberi (a.s): “Ju kam lënë dy gjëra; nuk do të humbni përderisa të kapeni pas tyre: Librin e Allahut dhe Sunetin e Pejgamberit të Tij.”

Thirrja në teuhid

Gjëja e parë që duhet të bëjë thirrësi është thirrja në njëshmërinë e adhurimit të Allahut, sepse ajo është themeli i fesë. Allahu i Lartësuar i urdhëroi të gjithë pejgamberët me këtë, dhe po ashtu Pejgamberi (a.s) e urdhëroi Muadhin (r.a.) me këtë, kur e dërgoi në Jemen.

Thirrja me dije dhe largpamësi

Thirrja nuk mund të qëndrojë veçse mbi dije dhe njohje të themeleve dhe degëve të fesë, sepse thirrja pa dije është thirrje e prishur dhe e pavlefshme.

Thirrja tek Ehlu Suneti dhe Xhemati ndërtohet mbi urtësinë, këshillën e bukur dhe debatimin në mënyrën më të mirë.

Së pari: Mbështetja e metodologjisë në Kuran dhe Sunet

Një nga veçoritë dalluese të metodologjisë së Ehlu Sunetit dhe Xhematit është mbështetja e saj në Kuran dhe Sunet në çdo gjë: në pasim, argumentim, ixhtihad dhe nxjerrje dispozitash. Kush dëshiron ta njohë metodologjinë e drejtë nga ajo e shtrembërta, le të shikojë pozitën dhe vendin e saj ndaj Kuranit dhe Sunetit, afërsinë ose largësinë prej tyre. Kapja pas Kuranit dhe Sunetit është një fortesë e pathyeshme dhe një mbrojtje e sigurt nga çdo devijim, shmangie dhe shtrembërim.

Argumentimi me Kuran dhe Sunet dhe gjykimi sipas tyre është metodologjia e selefit të mirë nga sahabët dhe tabi‘inët. Çdo thirrje ose metodë që nuk mbështetet në Kuran dhe Sunet është metodë e devijuar dhe e refuzuar nga Ehlu Suneti dhe Xhemati, pavarësisht se kush janë ndjekësit e saj dhe çfarë përpjekjeje bëjnë ata.

Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe vërtet ti udhëzon në një rrugë të drejtë”, dhe thotë: “Kapu fort asaj që të është shpallur, sepse vërtet je në një rrugë të drejtë”, dhe thotë: “Pastaj Ne të vumë ty në një ligj nga çështja, andaj pasoje atë dhe mos ndiq epshet e atyre që nuk dinë”. Po ashtu, Pejgamberi (a.s) ka thënë: “Ju kam lënë dy gjëra; nuk do të humbni përderisa të kapeni pas tyre: Librin e Allahut dhe Sunetin e Pejgamberit të Tij.”

Së dyti: Përqendrimi në të qartat dhe jo në të paqartat

Dihet se në Kuran ka ajete të qarta dhe ajete të paqarta. Të qartat janë ato që mbështeten në tekste të sigurta në transmetim dhe domethënie, ndërsa të paqartat janë ato që kanë domethënie të mundshme ose kuptimi i tyre u është i paqartë shumë njerëzve.

Metodologjia e Ehlu Sunetit dhe Xhematit në besimin ndaj ajeteve të qarta dhe të paqarta është kthimi i të paqartave tek të qartat, duke vepruar sipas fjalës së Allahut të Lartësuar: “Ai është që ta zbriti Librin; prej tij ka ajete të qarta, ato janë themeli i Librit, dhe të tjera janë të paqarta….”

Ibn Kethiri, në tefsirin e tij, thotë se ai që kthen të paqartën tek e qarta dhe e gjykon të paqartën sipas të qartës, ai është udhëzuar; ndërsa ai që vepron e kundërta, ai ka devijuar.

Nga rrugët e njerëzve të devijimit dhe të pasuesve të së pavërtetës është kërkimi pas të paqartave për të shkaktuar trazira dhe hutim te njerëzit. Kjo nuk është rruga e së vërtetës dhe as metodologjia e Ehlu Sunetit dhe Xhematit.

Së treti: Gradualiteti dhe renditja e prioriteteve

Metoda e thirrjes islame në fillimet e Islamit ndryshonte disi nga ajo e periudhës medinase, dhe kushdo që shqyrton dispozitat e sheriatit e vëren qartë këtë. Shembuj të tillë janë: gradualiteti në ndalimin e alkoolit, dispozitat e xhihadit, urdhërimi i mbulesës, ligjërimi i namazit dhe rregullat e tij, si dhe thirrja e përgjithshme e njerëzve.

E gjithë kjo tregon qartë rëndësinë e gradualitetit në thirrjen drejt Allahut. Ehlu Suneti dhe Xhemati e ka pasur këtë parim parasysh dhe e ka bërë pjesë përbërëse të metodologjisë së tyre, duke vendosur rregulla sheriatike dhe parime të qëndrueshme që rregullojnë veprimtarinë e thirrjes, me qëllim realizimin e interesave dhe parandalimin e dëmeve.

Së katërti: Mendimi i mirë për të tjerët

Një nga tiparet që dallon metodologjinë e Ehlu Sunetit dhe Xhematit nga ajo e grupeve të tjera është mendimi i mirë për të tjerët dhe shmangia e dyshimit të keq. Parimi është mendimi i mirë, derisa të vërtetohet gabimi ose të shfaqet një provë e qartë për sjellje të keqe.

Dyshimi i keq mbjell përçarje, urrejtje dhe armiqësi, gjë që Ehlu Suneti dhe Xhemati nuk e pranojnë, duke u mbështetur në fjalën e Allahut të Lartësuar: “O ju që besuat, largohuni nga shumë dyshime, sepse disa dyshime janë mëkat.”

Së pesti: Vendosja e njerëzve në vendin që u takon

Një nga parimet e rëndësishme të thirrjes tek Ehlu Suneti dhe Xhemati është njohja e pozitës së njerëzve dhe trajtimi i tyre sipas vendit që u takon, në përputhje me udhëzimin e Pejgamberit (a.s) Aishja (r.a.) ka thënë: “Na ka urdhëruar i Dërguari i Allahut (a.s) që t’i vendosim njerëzit në vendet e tyre.”

Së gjashti: Liria nga fanatizmi ndaj personave

Ehlu Suneti dhe Xhemati janë edukuar mbi një metodologji që i çliron nga fanatizmi i verbër ndaj individëve, fiseve apo racave. Pejgamberi (a.s) i ka urdhëruar të braktisin fanatizmin e xhahilijetit, duke thënë se Allahu ka larguar prej tyre krenarinë e verbër dhe mburrjen me prejardhjen.

Në hutben e Lamtumirës ai (a.s) theksoi se nuk ka epërsi arabi mbi joarabin, as i bardhi mbi të ziun, përveçse me devotshmëri.

Këto janë disa nga shtyllat, bazat dhe themelet e metodologjisë së thirrjes tek Ehlu Suneti dhe Xhemati. Kushdo që kapet pas tyre dhe vepron me sinqeritet dhe besnikëri për Allahun e Lartësuar, thirrja e tij do të jetë me largpamësi dhe mbi një rrugë të drejtë, dhe do të gjejë bereqet, sukses dhe përhapje në veprën e tij.

Autor: Ferexh Kunedi

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com