Ballina Artikuj Sunetet e namazit

Sunetet e namazit

Veprimet sunet gjatë namazit janë zbukurim i tij. Suneti ka funksion plotësues dhe me të namazi falet në formën e kërkuar dhe të duhur. Bukuria e të gjitha medh`hebeve janë veprimet sunete. Nëse gjatë namazit një person i le vazhdimisht pa i kryer veprimet sunnete, ai ka vepruar gabim. Shpërblimi i suneteve të namazit është njësoj si shpërblimi i veprimeve Uaxhib.

Sunetet e namazit janë:

1- Ngritja e duarve në tekbirin fillestar: Hakem Ibn Amir (r.a) thotë: “I Dërguari i Allahut na mësonte: “Kur të ngriheni për namaz, ngrini duart e mos i kaloni veshët. Pastaj thoni: “all`llahu ekber, subhanekell`llahum`me ue bihamdike ue tebarekesmuke ue teala xhed`duke ue la ilahe gajruke – Allahu është më i madhi. I pastër je Ti o Allahu im i dashur dhe Ti je i falenderuar, i begatë është emri Yt, lartësuar qoftë Madhështia Jote. Nuk ka asnjë zot tjetër përveç Teje”[1]

Uail Ibn Huxhri (r.a) thotë: “E kam parë të Dërguarin e Allahut (a.s) duke ngritur duart, saqë shputat arrinin deri tek shpatullat, kurse majat e gishtave ishin paralel me bulat e veshëve dhe merrte tekbir”[2]

Uail ibn Huxhri (r.a) tregon: “E kam parë të Dërguarin e Allahut (a.s) duke ngritur gishtat e mëdhenj tek bulëzat e veshëve”[3]

2- Mos mbledhja e gishtave gjatë ngritjes së duarve: Ebu Hurejra (r.a) tregon, se kur i Dërguari i Allahut (a.s) merrte tekbir në namaz, i zgjaste gishtat e duarve.(528) Ebu Hurejra (r.a) thotë: “Kur i Dërguari i Allahut (a.s) lidhej në namaz, i ngrinte duart duke i zgjatur ato (duke mos i mbajtur të mbledhura)”[4]

3- Kthimi i shputave të dorës drejt Kibles gjatë marrjes së tekbirit: Ibn Umeri (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kur dikush nga ju falet, le të ngrejë duart dhe t`i kthejë shputat (të brendshmen e pëllëmbës) drejt Kibles, pasi Allahu i Lartësuar është përpara tij”[5]

4- Ngritja e duarve deri te veshët vetëm një herë: Berra Ibn Azib (r.a) tregon, se kur i Dërguari i Allahut (a.s) fillonte namazin, i ngrinte duart deri afër veshëve dhe nuk e përsëriste më këtë veprim”[6]

Alkame tregon, se Ibn Mes’udi (r.a) ka thënë: “A t’ju tregoj për namazin, siç e ka falur i Dërguari i Allahut (a.s)? Kur ai është falur, i ka ngritur duart vetëm herën e parë”[7]

Ebu Hanife, Ebu Jusufi, Muhamed ibn Hasani dhe Sufjan Theuri e kanë përzgjedhur këtë si veprimin më të duhur. Ky është edhe një nga mendimet e Malikut, ndërsa Shafiu, Ahmedi, Ebu Ubejdi, Ebu Theuri dhe Ibn Hazmi janë të mendimit, se duart ngrihen në tekbirin fillestar, gjatë rënies në ruku dhe pas ngritjes nga rukuja.

5- Vendosja e dorës së djathtë mbi të majtën poshtë kërthizës: Alkame përcjell nga Uail (r.a) e ky nga i ati, i cili ka thënë: “E kam parë të Dërguarin e Allahut (a.s) në namaz duke vendosur dorën e djathtë mbi dorën e majtë”[8]

Haxhaxh Ibn Hasen thotë: “E kam pyetur Ebu Melxhez, se si i lidh duart falësi”. Ai më tha: “Vendos të brendshmen e dorës së djathtë mbi shpinën e pëllëmbës së majtë, më pas i vendos nën kërthizë”

Uail Ibn Huxhri (r.a) thotë: “E kam parë të Dëguarin e Allahut (a.s) duke vendour dorën e djathtë mbi të majtën poshtë kërthizës”[9]

I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Tre janë nga moralet e profetëve: Shpejtimi i iftarit, vonimi i syfyrit dhe vendosja e dorës së djathtë mbi të majtën (në namaz)”[10]

Aliu (r.a) ka thënë: “Nga suneti është, që dora (e djathtë) të vendoset mbi dorë (e majtë) dhe të vendosen nën kërthizë”[11]

Femra i mban duart poshtë gjoksit ose mbi gjoks.

6- Hedhja e shikimit në vendin ku bëhet sexhdja: Aishja (r.a) tregon: “I Dërguari i Allahut (a.s) u fut në Qabe dhe u fal. Shikimi i tij nuk e kaloi vendin ku bënte sexhden derisa mbaroi namazin”[12] I Dërguari i Allahut (a.s) i ka thënë Enesit (r.a): “O Enes! Hidhe shikimi atje ku do bësh sexhden”[13]

Ebu Kilabeh thotë: “E pyeta Muslim ibn Jesarin për përkushtimin në namaz dhe ai m`u përgjigj: “Të hedhësh shikimin aty ku do të bësh sexhden”

7- Heshtja ndërmjet tekbirit dhe leximit, aq sa të lexohet Besmelja dhe istiadhja: Samurah Ibn Xhundub (r.a) thotë, se ka mbajtur mend nga i Dërguari i Allahut (a.s), që ka heshtur dy herë në namaz: Heshtja e parë ishte kur merrte tekbir, kurse heshtja e dytë ishte, kur shkonte në ruku.[14]

Ebu Hurejra (r.a) tregon, se kur i Dërguari i Allahut (a.s) ngrihej për në rekatin e dytë, e fillonte rekatin direkt me Fatihanë.[15]

8- Thënia e duasë hyrëse të namazit: Ebu Xheuza përcjell nga Aishja (r.a), se kur i Dërguari i Allahut (a.s) e fillonte namazin, thoshte:“subhaneke all`llahum`me ue bihamdike ue tebarekesmuke ue teala xhed`duke ue la ilahe gajruke”[16]

Kjo lutje ka shumë rëndësi, sepse Umeri (r.a) e ka lexuar me zë këtë lutje në namaz, që t`ua mësonte njerëzve, se kjo lutje është nga suneti.

9- Lutjet hyrëse në namazet vullnetare: I Dërguari i Allahut (a.s) i fillonte namazet vullnetare me lutje të ndryshme si: “allahumme lekel hamdu, ente nurus semauati uel erd…”[17], ose me lutjen: “uexhehtu uexhi lil`ledhu fataras semauati uel erd…”[18]

Për më shumë shiko librat që përmbledhin duatë e të Dërguarit të Allahut (a.s), siç janë “El Edhker” apo “Mburoja e muslimanit”.

10- Istiadhja (kërkimi i mbrojtjes nga Allahu): Allahu i Lartësuar thotë: “Kur të lexosh Kuranin, kërko mbrojtjen e Allahut ndaj djallit të mallkuar”[19]

Ebu Seid El Khuderi (r.a) thotë: “Kur i Dërguari i Allahut (a.s) ngrihej natën, merrte tekbir dhe thoshte: “subhaneke all`llahum`me ue bihamdike ue tebarekesmuke ue teala xhed`duke ue lailahe gajruke”. Më pas thoshte:“eudhu bilahi minesh`shejtanirr`rraxhim min hemzihi ue nefkhihi ue nefthihi – Kërkoj mbrojtjen e Allahut, që të më ruajë nga shejtani i mallkuar, nga talljet, cytjet dhe fryma e tij”[20]

11- Besmelja (thënia Bismilah) pa zë: Kur Ibn Mes’udi (r.a) falej, thoshte pa zë: Besmelen, Istiadhen dhe Rab`bena lekel hamd.

Ibrahim En Nekhaij (tabi`in) thotë: “Janë pesë gjëra, që imami i thotë pa zë: Subhaneken, Istiadhen, Besmelen, Aminin dhe Rabena ue lekel hamd”

Abdullah Ibn Mugaffal (r.a) thotë: “Më dëgjoi babai im duke lexuar në namazin tim “Bismil`lahirr`rrahmanirr`rrahim” me zë dhe më tha: “O biri im! Përse bën shpikje (në fe), mjerë ti po shpike. Sahabët e të Dërguarit të Allahut (a.s) e urrenin shumë bidatin në Islam. Jam falur pas të Dërguarit të Allahut (a.s), pas Ebu Bekrit (r.a), pas Umerit (r.a) dhe pas Uthmanit (r.a), por nuk kam dëgjuar ndonjërin prej tyre ta thotë diçka të tillë. Mos e thuaj me zë këtë fjalë, kur të falesh, por thuaj Fatihanë (me zë)”[21]

12- Leximi me zë fillon me “Elhamdulil`lahi rab`bil alemin”: Enesi (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s), Ebu Bekri (r.a), Umeri (r.a) dhe Uthmani (r.a) e fillonin leximin me “elhamdulil`lahi rabbil alemin”[22]

13- Thënia “Amin” pa zë: Ebu Hurejra (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kur imami të thotë “Amin”, thuajeni edhe ju. Nëse ndonjërit prej jush i korrespondon “Amin-i” i tij me “Amin-in” e engjëjve, i falen mëkatet që ka bërë”[23]

Është sunnet që fjala “Amin” të thuhet me zë të ulët. Alkame përcjell nga Uaili, kurse ky nga babai i tij (r.a), i cili ka thënë: “Jam falur me të Dërguarin e Allahut (a,s). Pasi lexoi ajetin “gajril magdubi alejhim ue led`dal`lin”, tha “Amin”. Këtë e tha me zë të ulët”[24]

14- Tekbiri në çdo ngritje dhe ulje gjatë namazit: Ibn Mes’udi (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) merrte tekbir për çdo ngritje koke dhe ulje, ngritje në këmbë dhe kur qëndronte në Teshehud. Të njëjtën gjë e bënte edhe Ebu Bekri (r.a) edhe Umeri (r.a)[25]

Tirmidhiu thotë: “Kjo është praktika e shokëve të të Dërguarit të Allahut (a.s). Prej tyre përmendim Ebu Bekrin, Umerin, Uthmanin, Aliun dhe shumë të tjerë (r.a). Kjo ka qenë praktika e Tabi`inëve dhe praktika e pjesës më të madhe të juristëve dhe dijetarëve”

15- Kapja e gjunjëve në ruku: Umeri (r.a) thotë: “Është nga Suneti, që të kapen gjunjët (kupat) gjatë rukusë”. Kurse në një rivajet tjetër thotë: “Ju është bërë sunet kapja e gjunjëve, prandaj kapini ato (në ruku)”[26]

Kur Ebu Mesud Ukbe ibn Amir (r.a) ra në ruku, i largoi krahët nga ijet, vendosi duart mbi gjunjë dhe hapi gishtat. Më pas tha: “E kam parë të Dërguarin e Allahut (a.s) të veprojë kështu”[27]

16- Hapja e gishtave në ruku (gjatë kapjes së kupës së gjurit): Alkame përcjell nga Uaili (r.a) e ky nga babai i tij, se kur i Dërguari i Allahut (a.s) binte në ruku, i hapte gishtat e kur binte në sexhde, i mblidhte ato.[28]

I Dërguari i Allahut (a.s) i tha Enesit (r.a): “Kur të biesh në ruku, vendosi duart tek gjunjët dhe hapi gishtat (e dorës)”[29]Nga kjo kuptohet si gishtat dalin poshtë kupave të gjunjëve, siç përmendet në hadithin, ku Ebu Mesudi (r.a) shpjegon në praktikë, se si është falur i Dërguari i Allahut (a.s). Aty përshkruhet se ka lënë gishtat poshtë kupave të gjurit dhe në fund ka thënë: “Kështu është falur i Dërguari i Allahut (a.s)”[30]

17- Drejtimi i shpinës në ruku: Ebu Berze Eslemiu (r.a) thotë: “Kur i Dërguari i Allahut (a.s) binte në ruku, e drejtonte shpinën, saqë po të hidhje ujë në të, do të qëndronte në vend”[31]Ali ibn Shejbani (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Nuk vlen namazi i atij që nuk drejton shpinën në ruku dhe sexhde”[32]

I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Allahu i Madhëruar nuk e shikon namazin e atij, që nuk drejton kurrizin në ruku dhe sexhde”[33]

18- Të mos ngrihen duart, gjatë rënies në ruku dhe kur ngrihemi prej saj: Ibn Abasi (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Nuk ngrihen duart (apo mos i ngrini duart) përveçse në shtatë pozicione: kur të filloni namazin, kur të hyni në xhaminë e shenjtë dhe shikoni Qaben, kur të qëndroni në Safa, gjithashtu edhe në Merua, kur njerëzit të qëndrojnë në Arafat e kur të bashkoni namazet në Muzdelife dhe në vendet ku gjuani guralecët”[34]

19- Të mos ngrihet apo të mos ulet koka gjatë rukusë (mbajtja e saj parallel me tokën): Aishja (r.a) – duke përshkruar namazin e të Dërguarit të Allahut (a.s) – thotë: “Gjatë rukusë, i Dërguari i Allahut (a.s) nuk e ngrinte kokën e as nuk e ulte”[35]

20- Tesbihu (lavdërimi i Allahut) në ruku tre herë: Ibn Mes’udi (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Nëse dikush prej jush bie në ruku dhe thotë: “subhane rabbijel adhim – I pastër dhe madhështor je Ti o Zoti im” tre herë, e ka plotësuar rukunë e tij”[36]

Përveç kësaj duaje, mund të thuhen edhe lutjet e shumta, që janë përcjellë nga Suneti i pastër i të Dërguarit të Allahut (a.s).

21- Tesmijeti (SemiAllahu limen hamideh) është për imamin, kurse Tahmidi (rabbena ue lekel hamd) është për pasuesin: Ebu Musa (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kur imami thotë “semiallahu limen hamideh– Allahu i Madhëruar e dëgjon atë që e falenderon Atë”, thoni “rabbena ue lekel hamd – O Zoti ynë i dashur.Vetëm Ty të takon falenderimi”. Nëse ndonjërit prej jush i korrespondon “Amin-i” i tij me “Amin-in” e engjëjve, i falen mëkatet që ka bërë”[37]

Enesi (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Imami është vendosur për t`ju plotësuar (t`ju prirë në namaz) namazin. Kur ai të thotë tekbirin, thuajeni edhe ju pas tij dhe mos e thoni tekbirin, pa e thënë ai. Kur ai të bjerë në ruku, bini edhe ju pas tij dhe mos bini para tij. Kur imami

të thotë: “semiali`llahu limen hamideh”, ju thoni: “rab`bena ue lekel hamd”, Kur imami të bjerë në sexhde, bini edhe ju, mirëpo mos i paraprini. Nëse imami falet në këmbë, faluni edhe ju në këmbë, nëse ai falet ulur, faluni ulur edhe ju”[38]

Kur të ngrihet nga rukuja, namazliu duhet të qetësohet, aq sa çdo gjymtyrë të shkojë në vendin e saj, siç u përmend tek hadithi i atij që u fal keq.

22- Qëndrimi pas ngritjes nga rukuja, sexhdja dhe ulja mes dy sexhdeve të jetë i përafërt në kohë: Berra Ibn Azib (r.a) ka thënë, se rukuja, sexhdja dhe ulja e të Dërguarit të Allahut (a.s) mes dy sexhdeve zgjasnin pothuajse njësoj në kohë.[39]

23- Tekbiri merret para se të kryhet një veprim dhe jo pasi ai të jetë kryer: Ebu Hurejra (r.a) tregon: “Kur i Dërguari i Allahut (a.s) hyntenë namaz, merrte tekbir. Gjithashtu ai merrte tekbir edhe kur binte në ruku edhe kur ngrihej prej saj. Kur ngrihej nga rukuja, thoshte: “semiallahu limen hamideh – Allahu e dëgjon atë që e falenderon”. Më pas, kur ishte në këmbë thoshte: “rabbena ue lekel hamd – Zoti ynë! Vetëm Ty të takon falenderimi”. Pastaj merrte tekbir edhe kur binte në sexhde edhe kur ngrinte kokën prej saj. Të njëjtën gjë bënte edhe në sexhden e dytë. Këto veprime i përsëriste gjatë gjithë namazit, derisa ta mbaronte atë. Ai merrte tekbir edhe kur ngrihej nga ulja e parë”[40]

24- Vendosja e gjunjëve përpara duarve gjatë rënies në sexhde(582): Uail Ibn Huxhri (r.a) tregon: “Kur i Dërguari i Allahut (a.s) binte në sexhde, i lëshonte gjunjët përpara duarve, ndërsa kur ngrihej prej saj, ngrinte duart përpara gjunjëve”[41]

Abdul Xhebbar Ibn Uail tregon nga babai i tij, se kur i Dërguari i Allahut (a.s) bënte sexhden, vendoste gjunjët në tokë, përpara duarve, ndërsa kur ngrihej nga sexhdja, ngrihej me gjunjë, duke u mbështetur tek kofshët.[42]

25- Zgjerimi (i krahëve) në sexhde dhe largimi i kofshëve nga barku: Mejmune (r.a) tregon, se kur i Dërguari i Allahut (a.s) bënte sexhden, i hapte krahët saqë nëse ndonjë qengj do dëshironte të kalonte poshtë krahëve të tij, do të kalonte.[43] Femra nuk i zgjeron krahët në sexhde. Jezid ibn Habibi thotë: “I Dërguari i Allahut (a.s) kaloi pranë dy femrave që po faleshin. Ai tha: “Kur të bëni sexhden, vendoseni një pjesë të trupit në tokë, pasi femra nuk bën si mashkulli (në namaz)”[44]

26- Përthyerja e gishtërinjve të këmbës në sexhde dhe drejtimi i tyre nga Kibla gjatë uljes: Ebu Humejd Es Sadi (r.a) tregon, se kur i Dërguari I Allahut (a.s) binte në sexhde, i largonte bërrylat nga sqetullatdhe i lakonte gishtërinjtë e këmbës.[45]

27- Ngritja e pjesës së mbrapme të trupit (të ndenjurat) në sexhde: Ebu Is’haku tregon: “Berra Ibn Azib (r.a) na e përshkroi sexhden. Ai vendosi duart në tokë e më pas ngriti pjesën e mbrapme të trupit (të ndenjurat) dhe tha: “Kështu e kam parë të Dërguarin e Allahut (a.s) duke vepruar”[46]

28- Bashkimi i gishtave të dorës në sexhde dhe drejtimi i tyre drejt Kibles: Uail Ibn Huxhri (r.a) tregon, se kur i Dërguari i Allahut (a.s) bënte sexhde, i bashkonte gishtat e duarve (pa i bërë grusht, por duke mos lënë hapësirë mes tyre)[47] Berra Ibn Azib (r.a) tregon, se kur i Dërguari Allahut (Paqja qoftë mbi të) bënte sexhde, i vendoste duart në tokë, kurse gishtat i kthente në drejtim të Kibles[48]

29- Bërja e sexhdes me pëllëmbët e duarve: Berra Ibn Azib (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) bënte sexhde, duke vendosur fytyrën mbi shputat e duarve (mes fytyrës)[49] Një nga shpjegimet e këtij hadithi është: “Shpina e duarve në sexhde duhet të jetë drejt fytyrës së namazliut”.

30- Vendosja e fytyrës ndëmjet dy duarve: Ebu Is’hak thotë: “E pyeta Berra Ibn Azib (r.a): “Ku e vendote i Dërguari i Allahut (a.s) fytyrën gjatë sexhdes”? Ai tha: “Ndëmjet dy duarve”[50] Gjatë sexhdes, duart mund të mbahen paralel me supet. Uail Ibn Huxhri (r.a) thotë: “Kam pare të Dërguarin e Allahut (a.s) duke bërë sexhde dhe duart i kishte afër veshëve”[51]

31- Tesbihu (lartësimi i Allahut) dhe duaja në sexhde: Ukbe ibn Amir (r.a) thotë: “Kur të Dërguarit të Allahut (a.s) iu shpall ajeti: “Prandaj lavdëroje emrin e Zotit tënd të Madhërishëm”,[52]ai tha: “I thoni këto fjalë në ruku” dhe kur iu shpall surja E`ala, ai tha: “I thoni këto fjalë në sexhde”[53] Hudhejfe (r.a) tregon: “I Dërguari i Allahut (a.s) thoshte në ruku: “subhane rrabij`jel adhim – I pastër dhe i lartësuar është Zoti im, Madhështori”, ndërsa në sexhde thoshte: “subhane rrabij`jel eala – I pastër dhe i lartësuar është Zoti im, më i Larti”[54]

Me këtë nuk nënkuptohet leximi i sures, por madhërimi i Allahut. Gjithashtu mund të thuhen edhe lutje të tjera, që janë përcjellë në Sunetin e të Dërguarit tëAllahut (a.s). I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Robi i afrohet Zotit të tij më së shumti në sexhde, pra shtoni duatë (në të)”[55]

32- Bashkimi i thembrave të këmbëve në sexhde: Aishja (r.a) thotë: “E humba të Dërguarin e Allahut (a.s), ndërkohë që po qëndronte me mua në krevat. Më pas e gjeta atë në sexhde dhe thembrat (kyçet) i kishte të bashkuara, kurse majat e gishtave i kishte të drejtuara drejt Kibles…”[56]

33- Ngritja e bërrylave nga toka: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Drejtohuni në sexhde. Le të mos i ulë ndonjëri prej jush krahët e tij,ashtu siç i ul qeni”[57] I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë gjithashtu: “Kur të bësh sexhden, vendosi duart në tokë dhe ngriji krahët”[58]

34- Qëndrimi mes dy sexhdeve nuk duhet bërë duke vendosur vithet mbi thembra apo në tokë: Aliu (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s ) i ka thënë: “O Ali! Unë dua për ty atë që dua për vete dhe urrej për ty atë që urrej për vete. Mos i ul të ndenjurat (duke i mbështetur ato tek kyçet dhe thembrat) mes dy sexhdeve”[59]

35- Lutja mes dy sexhdeve: Hudhejfe tregon: “I Dërguari i Allahut (a.s) qëndronte mes dy sexhdeve aq sa qëndronte në sexhde. Në mes dy sexhdeve thoshte: “rrab`bigfir li rrab`bigfir li – O Zoti im më fal! O Zoti im më fal”[60]

Said ibn Xhubejr përcjell nga Ibn Abasi (r.a), se i Dërguari i Allahut (a.s) thoshte midis dy sexhdeve: “allahumme gfir li uerhamni uexhburni uehdini uerzukni – O Zot! Më fal, më mëshiro, më nxit (për të mira), më ruaj dhe më furnizo”[61]

36- Ngritja për në rekatin pasues me pjesën e përparme të këmbëve: Atije El Aufi thotë: “Kam parë Ibn Umerin (r.a), ibn Abasin (r.a), Ibn Zubejrin (r.a) dhe Ebu Seid Khuderiun (r.a), duke u ngritur nga sexhdja për në kijam (qëndrim në këmbë) me pjesën e përparme të këmbëve”[62]

37- Ulja në teshehud, duke vendosur të ndenjurat mbi këmbën e majtë dhe duke e drejtuar këmbën e djathtë me gishtat drejt Kibles: Ibn Umeri (r.a) thotë: “Nga sunneti është drejtimi i këmbës së djathtë, kthimi i gishtave të saj drejt Kibles dhe ulja mbi këmbën e majtë”[63]

38- Vendosja e duarve mbi kofshë në uljen e parë dhe ngritja e gishtit tregues, pa e lëvizur atë: Amir Ibn Abdullah Ibn Zubejr (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) vendoste duart mbi kofshë dhe ngrinte gishtin tregues, gishtin e madh e bashkonte me gishtin e mesëm, kurse dorën e majtë e vendoste tek gjuri.[64]

Ibn Zubejri tregon, se kur i Dërguari i Allahut (a.s) bënte duanë (gjatë Teshehudit), e ngrinte gishtin tregues, mirëpo nuk e lëvizte atë”[65]

Malik ibn Numejr Khuzai tregon, se babai i tij ka thënë: “E kam parë të Dërguarin e Allahut (a.s), i cili e kishte vënë dorën e djathtë mbi kofshë dhe kishte ngritur gishtin tregues, duke e mbajtur atë pak të lakuar”[66]

39- Leximi i Teshehudit pa zë: Ibn Mes`udi (r.a) thotë: “Nga Suneti i të Dërguarit të Allahut (a.s) është leximi i Teshehudit pa zë”[67]

40- Leximi i salavateve pas Teshehudit: Ebu Mesudi (r.a) tregon: “Një burrë erdhi dhe u ul tek i Dërguari i Allahut (a.s), kurse ne ishim prezent kur i tha: “O i Dërguari i Allahut! Ne e mësuam se si të të japim ty selam, por si duhet të biem në salavate për ty”? I Dërguari i Allahut (a.s) heshti, saqë deshëm që ky person të mos e kishte pyetur fare. Më pas i Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Kur të bini në salivate për mua, thoni: “all`llahum`me sal`li ala muham`medin ue ala ali muham`med, kema salejte ala ibrahime ue ala ali ibrahime, in`neke hamidun mexhid. all`llahum`me barik ala muham`medin ue ala ali muham`med, kema barekte ala ibrahime ue ala ali ibrahime, in`neke hamidun mexhid –O Allahu im i dashur! Mëshiroje Muhamedin dhe familjen e tij, ashtu siç ke mëshiruar Ibrahimin dhe familjen e tij. Ti je i Falenderuar dhe i Lartësuar. O Allahu im i dashur! Begatoje Muhamedin dhe familjen e tij, ashtu siç ke begatuar Ibrahimin dhe familjen e tij. Ti je i Falenderuar dhe i Lartësuar”[68]

41- Thënia e duave në uljen e fundit dhe para selamit: Është e pëlqyeshme të thuhen lutjet kuranore, si: “rab`bena atina fid`dunja haseneten ue fil akhirati haseneten ue kina adhaben`nar – Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)”[69] “rab`bennagfir li ue liualidej`je ue lilmu`mine jeume jekumul hisab – O Zoti ynë, më fal mua, prindërit e mi dhe besimtarët në Ditën, kur do të jepet llogari”[70]

Ebu Bekri (r.a) i ka thënë të Dërguarit të Allahut (a.s): “O i Dërguari i Allahut! Më mëso një lutje, me të cilën të lutem në namazin tim”? I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Thuaj: allahum`me in`ni dhalemtu nefsi dhulmen kethiran ue kebiran ue la jegfirudh`dhunube il`la ente, fegfir li magfiraten min indeke, uerhamni in`neke entel gafurrurr`rrahim – O Allah! Unë i kam bërë padrejtësi të shumta dhe të mëdha vetes time dhe askush përveç Teje nuk m`i fal ato. M`i fal mua me mëshirë të madhe prej Teje dhe më mëshiro, sepse ti je Mëkatfalësi dhe i Mëshirshmi”[71]

Është sunet, që lutjet të jenë nga Kurani dhe nga tradita e të Dërguarit të Allahut (a.s).

42- Dhënia e selamit djathtas dhe majtas, duke lëvizur kokën: Është uaxhib të thuhet “Es selamu alejkum”, kurse sunnet është të shtohet edhe “ue rahmetull`llah”.

Ebul Ahuas përcjell nga Abdullahu (r.a), se i Dërguari i Allahut (a.s) jepte selam nga e djathta duke thënë: “Es selamu alejkum ue rahmetull`llah” dhe pastaj jepse selam nga e majta, duke thënë: “Es selamu alejkum ue rahmetull`llah”, aq sa i shikohej bardhësia e faqes.[72]

Amir Ibn Said (r.a) tregon, se babai i tij e ka parë të Dërguarin e Allahut (a.s) duke dhënë selam nga e djathta dhe nga e majta, saqë I shikohej bardhësia e faqes.[73] Gjatë dhënies së selamit, është e pëlqyeshme që namazliu të ketë si nijet në selamin e parë kthimin e selamit imamit, ndërsa me selamin e dytë përshëndetjen e besimtarëve dhe engjëjve. Semura ibn Xhundub (r.a) ka thënë: “I Dërguari i Allahut (a.s) na ka urdhëruar t`ia kthejmë selamin imamit, të duam njëri-tjetrin dhe t`i japim selam njëri-tjetrit”[74]

43- Vendosja e Sutres (pengesës) para vetes. Sutra është një objekt (rreth 50-70 cm), që namazliu e vendos përpara vetes për t’u falur, me qëllim që të tjerët të mos kalojnë para tij. Ebu Saidi (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kur të falet ndonjëri prej jush, le të falet duke pasur përpara një objekt dhe le t’i afrohet atij”[75]

Si sutre mjafton edhe vendosja e diçkaje sado e vogël dhe nëse është në vend të hapur, mjafton edhe një vizë në tokë. I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kur ndonjëri prej jush falet, le të vendosë para vetes diçka. Nëse nuk ka çfarë të vendosë, le të vendosë një shkop dhe nëse nuk e gjen as këtë, le të bëjë një vijë në tokë, sepse çfarë kalon para tij gjatë faljes, nuk i prish asnjë gjë (nuk ia prish namazin)”[76]

Nëse namazi është me xhemat, pasuesi nuk ka nevojë për sutre, pasi sutra e imamit vlen edhe për të. I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Sutra e Imamit është sutre edhe për pasuesit”[77]

Nëse dikush falet pa sutre, namazi i tij është i rregullt, sepse Fadl ibn Abasi (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) është falur në një vend të hapur dhe nuk ka pasur asgjë para vetes.[78]

Është e papëlqyeshme, që një person të kalojë para namazliut. I Dërguari I Allahut (a.s) ka thënë: “Sikur ta dijë se çfarë e pret atë që kalon para atij që falet, do të ishte më mirë për të, të qëndronte 40, sesa të kalojë para atij që falet”. Ebu Nadri thotë: “Nuk e di, nëse ka thënë 40 ditë, 40 muaj apo 40 vite”[79]

Mirëpo, asgjë nuk e ndërpret apo e bën të pavlefshëm namazin. Ebu Saidi (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Namazin nuk e ndërpret asgjë, por largojeni sa të mundeni atë që kërkon të kalojë para jush, sepse ai që kërkon të kalojë, është shejtan”[80]

44- Përdorimi i Misvakut. Është sunet që para faljes të namazit të pastrohen dhëmbët me Misvak, apo me çdo gjë që zëvendëson misvakun (furçë dhëmbësh). Abas ibn Abdul Mutalibi (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Sikur të mos ishte e rëndë për Umetin tim, do ta detyroja të përdorte misvakun para çdo namazi, ashtu siç ua kam detyruar abdesin”.[81]

Aishja (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Vlera e një namazi me dhëmbë të pastruar (me misvak) ndaj një namazi me dhëmbë të papastruar është shtatëdhjetë herë më i vlefshëm”

Xhabiri (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Dy rekate që falen pas përdorimit të misvakut janë më me vlerë, sesa 70 rekate që falen pa përdorur misvakun”

Autor: Rushit Musallari

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Tabareni në Kebir. Hadithi është i saktë.

[2] – Ebu Daudi. Hadithi është i saktë.

[3] – Ebu Daudi. Hadithi është i saktë.

[4] – Ebu Daudi dhe Tirmidhiu. Hadithi është i saktë.

[5] – Tabareniu. Hadithi është i dobët.

[6] – Ibn Ebi Shejbeh. Hadithi është i saktë.

[7] – Ebu Daudi, Tirmidhiu, etj. Hadithi është i saktë.

[8] – Muslimi.

[9] – Ibn Ebi Shejbeh. Hadithi është i saktë.

[10] – Tabareniu ne Kebir. Hadithië është i saktë.

[11] – Ebu Daudi, Darajutni, etj, Hadithi është i dobët.

[12] – Hakimi. Hadithi është i saktë.

[13] – Bejhakiu. Hadithi është i skatë.

[14] – Ebu Daudi, Ibn Maxheh, etj. Hadithi është i saktë.

[15] – Hakimi. Hadithi është i saktë.

[16] – Ebu Daudi. Hadithi është i saktë.

[17] – Buhariu dhe Muslimi.

[18] – Muslimi.

[19] – Sure Nahl: 98.

[20] – Ebu Daudi, Tirmidhiu, etj. Hadithi është i saktë.

[21] – Tirmidhiu. Hadithi është i saktë.

[22] – Buhariu dhe Muslimi.

[23] – Buhariu dhe Muslimi.

[24] – Ahmedi. Hadithi është i saktë.

[25] – Tirmidhiu. Hadithi është i saktë.

[26] – Nesaiu. Hadithi është i saktë.

[27] – Ebu Daudi. Hadithi është i saktë.

[28] – Ibn Huzejme, Hakimi, etj. Hadithi është i saktë.

[29] – Tabareniu në Sagir. Hadithi është i saktë.

[30] – Ebu Daudi, Nesaiu, etj. Hadithi është i saktë.

[31] – Tabereniu në Eusat. Hadithi është i saktë.

[32] – Ibn Maxheh dhe Ahmedi. Hadithi është i saktë.

[33] – Ahmedi. Hadithi është i saktë.

[34] – Tabereniu në Kebir. Hadithi është i saktë.

[35] – Muslimi.

[36] – Ebu Daudi, Tirmidhiu, etj. Hadithi është i saktë.

[37] – Muslimi.

[38] – Buhariu dhe Muslimi.

[39] – Buhariu dhe Muslimi.

[40] – Buhariu dhe Muslimi.

[41] – Ebu Daudi, Tirmidhiu, etj. Hadithi është i saktë.

[42] – Ebu Daudi.

[43] – Muslimi.

[44] – Ebu Daudi. Hadithi është Mursel.

[45] – Ebu Daudi, Tirmidhiu, etj. Hadithi është i saktë.

[46] – Ebu Daudi. Hadithi është i saktë.

[47] – Ibn Khuzejhme. Hadithi është i saktë.

[48] – Bejhakiu. Hadithi është i dobët.

[49] – Ibn Khuzejme. Hadithi është i saktë.

[50] – Tirmidhiu. Hadithi është i saktë.

[51] – Ibn Ebi Shejbeh. Hadithi është i saktë.

[52] – Sure Uakia: 74.

[53] – Ebu Daudi. Hadithi është i saktë.

[54] – Ebu Daudi, Ibn Maxheh. Etj. Hadithi është i saktë.

[55] – Muslimi.

[56] – Ibn Khuzejme. Hadithi është i saktë.

[57] – Buhariu dhe Muslimi.

[58] – Muslimi.

[59] – Tirmidhiu, ibn Maxheh. Hadithi është i saktë.

[60] – Ebu Daudi, Nesaiu, etj. Hadithi është i saktë.

[61] – Ebu Daudi, Nesaiu, etj. Hadithi është i saktë.

[62] – Bejhakiu. Hadithi është i saktë.

[63] – Buhariu.

[64] – Muslimi.

[65] – Ebu Daudi, Nesaiu, etj. Hadithi është i saktë.

[66] – Ebu Daudi, Nesaiu, etj. Hadithi është i saktë.

[67] – Ebu Daudi dhe Tirmidhiu. Hadithi është i saktë.

[68] – Muslimi.

[69] – Sure Bekare: 200.

[70] – Sure Ibrahim: 71.

[71] – Buhariu dhe Muslimi.

[72] – Ebu Daudi, Tirmidhiu, etj. Hadithi është i saktë.

[73] – Muslimi.

[74] – Ebu Daudi, Ibn Maxheh, etj. Hadithi është i saktë.

[75] – Ebu Daudi. Hadithi është i saktë.

[76] – Ebu Daudi. Hadithi është i saktë.

[77] – Tabareniu. Hadithi është i dobët.

[78] – Ebu Daudi. Hadithi është i dobët.

[79] – Buhariu dhe Muslimi.

[80] – Ebu Daudi. Hadithi është i saktë.

[81] – Ebu Ja’la, Bezzari, etj. Hadithi është i saktë.