Ballina Artikuj Kur njeriu merr rolin që i takon vetëm Allahut

Kur njeriu merr rolin që i takon vetëm Allahut

Vdiq një burrë duke pirë alkool, ndërsa një grua i dha fund jetës kur mësoi se ishte shtatzënë nga një lidhje e ndaluar.
Të dy xhenazet u bashkuan në një xhami të vetme.
Disa njerëz e pyetën imamin Ebu Hanife en-Nu’man: A janë këta në Xhenet apo në Xhehenem?
Ai mund të ishte përgjigjur duke u mbështetur në tekstet paralajmëruese: pirja e alkoolit është mëkat i madh, ndërsa vetëvrasja është një gjynah për të cilin Allahu ka kërcënuar me dënim. Por Ebu Hanifja e kuptoi se nuk ishte në pozitën për të gjykuar përfundimin e njerëzve; ai nuk i posedon çelësat e Xhenetit dhe të Zjarrit, dhe nuk e bëri veten gjykatës të qëllimeve dhe përfundimeve të tyre.
Ai tha fjalën e tij të urtë:
Për ta them atë që tha Ibrahimi a.s.:
Kush më ndjek mua, ai është prej meje; e kush më kundërshton, Ti je Falës dhe Mëshirues.
(Ibrahim, 36)
Dhe për ta them atë që tha Isai a.s.:
Nëse i dënon, ata janë robërit e Tu; e nëse i fal, Ti je i Plotfuqishmi, i Urti.
(El-Maide, 118)
Dhe për ta them atë që tha Nuhu a.s.:
Llogaria e tyre është vetëm tek Zoti im, sikur ta dinit.
(Esh-Shuara, 113)

Kështu, imami e ktheu çështjen tek Allahu dhe qëndroi brenda kufijve të robërisë së tij ndaj Tij. Nuk dha një përfundim të prerë, nuk e mbylli derën e mëshirës dhe nuk u bë “zot” mbi krijesat.
Një nga sprovat më të mëdha për disa njerëz është prirja për të gjykuar të tjerët, duke shpërndarë Xhenetin dhe Xhehenemin sipas dëshirave të tyre, dhe duke e bërë veten përcaktues të mëshirës dhe drejtësisë së Allahut.
Ky qëndrim është larg shpirtit të Islamit dhe i afërt me injorancën, edhe nëse vishet me petkun e devotshmërisë.

Kritiko çfarë të duash nga veprat dhe mendimet, por mos e fut veten në fatet përfundimtare të njerëzve; kjo i takon vetëm Allahut, Zotëruesit të Xhenetit dhe Xhehenemit. Ai bën çfarë të dojë me urtësi dhe drejtësi, ndërsa ne jemi robër që qëndrojmë brenda kufijve tanë dhe nuk i tejkalojmë ata.