Boshllëku gjeopolitik në rajon, vullneti strategjik i Ankarasë përtej kufizimeve të BE-së
Nga Egemen Bağış*
Bota ka ndryshuar, dhe bashkë me të edhe rregullat e politikës ndërkombëtare. Në sistemin e sotëm, të kesh të drejtë nuk mjafton. Pa pushtet dhe vendosmëri strategjike, dështojnë edhe pretendimet më legjitime.
Rendi global i bazuar në rregulla po testohet nga Ukraina në Lindjen e Mesme, duke bërë të qartë një realitet: rregullat kanë rëndësi vetëm kur mbështeten nga fuqia. Sovraniteti në shekullin XXI është tashmë teknologjik, ekonomik dhe ushtarak.
Kjo kontradiktë është veçanërisht e dukshme në Ballkan. Për vite me radhë, Bashkimi Evropian ka investuar burime të mëdha në rajon, duke ofruar mbështetje financiare dhe perspektivën e anëtarësimit.
Megjithatë, progresi mbetet i kufizuar. Problemi nuk është mungesa e parave, por mungesa e vullnetit politik. Lodhja nga zgjerimi dhe përçarjet e brendshme të BE-së e kanë dobësuar ndikimin e saj transformues.
Ndërkohë, vijat e ndarjes mbeten aktive. Bosnja-Hercegovina përballet me brishtësi institucionale, tensionet Kosovë-Serbi mbeten të pazgjidhura dhe retorika nacionaliste po fiton terren. Rreziku më i madh nuk është lufta e hapur, por grumbullimi i krizave që nëse tolerohen sot, do të shpërthejnë nesër në kushte më të vështira.
Sot, Ballkani po formësohet nga një ndryshim strategjik. SHBA-të janë bërë më selektive në angazhim, ndërsa BE-ja shpesh duket e ngadaltë dhe reaktive. Ky kombinim krijon një boshllëk gjeopolitik.
Kur aktorët tradicionalë hezitojnë, të tjerët ndërhyjnë, dhe jo çdo përfshirje kontribuon në stabilitet. Këtu bëhet i domosdoshëm roli i Turqisë. Ajo nuk e sheh Ballkanin si një sferë ndikimi periferike, por si një hapësirë të përbashkët historie dhe gjeografie.
Stabiliteti rajonal për Ankaranë është interes kombëtar. Angazhimi turk mbështetet në tre parime: dialog mbi imponimin, partneritet mbi tutelën dhe parandalim mbi menaxhimin e krizave. Përmes diplomacisë aktive dhe investimeve, Turqia mban kanale të hapura me të gjitha palët, duke u pozicionuar si një aktor stabilizues.
Rendi i ri global nuk lejon pasivitet. Turqia e ka kuptuar se “nëse nuk je në tryezë, mund të jesh në menu”. Ajo nuk e përcakton më rolin e saj përmes ftesave të të tjerëve, por përmes aftësisë për të formësuar axhendat.
Politika e saj shumëdrejtimëshe – angazhimi i simuluar me SHBA-në, BE-në, Rusinë dhe Kinën – është një domosdoshmëri strategjike e diktuar nga gjeografia. Ballkani sot është një kryqëzim kritik i sigurisë, energjisë dhe migrimit.
Asnjë rend rajonal i qëndrueshëm nuk mund të ndërtohet pa Turqinë. Ajo nuk është më një vëzhguese në një qoshe të skenës, por një lojtare qendrore. Çdo strategji që synon ta anashkalojë Turqinë do të minojë efektivitetin e vet, sepse në gjeopolitikë vakumi nuk është opsion. Kur rreziqet janë të larta, stabiliteti varet nga aktorët që kanë vullnetin dhe kapacitetin për ta ofruar atë.
*Ambasador, ish-Ministër për Çështjet e BE-së dhe kryenegociator i Turqisë. /tesheshi.com/








