Vdekja e 4 vjeçares, HRN: Të merren masa të menjëhershme për të hetuar plotësisht çështjen

Human Rights Network përmes një reagimi janë shprehur të shqetësuar nga ngjarja e fundit e vdekjes së 4 vjeçares nga Gjakova.

Në reagim thuhet se kjo ngjarje ngritur edhe shqetësime serioze në lidhje me standardet e praktikës mjekësore dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në shoqërinë tonë.

“Vajza e vogël, raportohet të jetë pjesëtare e një komuniteti etnikisht të marginalizuar, e cila ju nënshtrua një sulmi të dhunshëm, duke marrë lëndime që kërkonin kujdes mjekësor të menjëhershëm dhe të kujdesshëm. Fatkeqësisht, pretendimet sugjerojnë se përgjigja mjekësore që ajo kishte marrë ishte shumë e jo-adekuate, duke ngritur pyetje në lidhje me faktorë si diskriminimi etnik dhe sa ka luajtur rol kjo në nivelin e kujdesit të dhënë. Ngjarjet e tilla prekin vlerat e shoqërisë sonë dhe besimin që kemi në sistemin shëndetësor për të ofruar mbrojtje dhe kujdes për të gjithë individët, pavarësisht prej përkatësisë apo etnisë së tyre. Është e domosdoshme që kjo humbje tragjike të nxisë një hetim të hollësishëm dhe transparent në rrethanat që çuan në vdekjen e kësaj vajze të re, duke përfshirë një ekzaminim të reagimeve mjekësore që ajo ka marrë”, thuhet nga HRN.

Derisa u është bërë thirrje autoriteteve lokale dhe kombëtare të marrin masa të menjëhershme për të hetuar plotësisht këtë çështje.

“Ne bëjmë thirrje te autoritetet lokale dhe kombëtare të marrin masa të menjëhershme për të hetuar plotësisht këtë çështje. Është e rëndësishme që ky hetim të kryhet në mënyrë transparente, duke mbajtur përgjegjëse çdo palë që konstatohet të ketë qenë neglizhente për veprimet e tyre. Gjithashtu, kjo ngjarje duhet të shërbejë si një katalizator për ndryshime sistematike në sistemin tonë të kujdesit shëndetësor dhe shoqëror për të siguruar që çdo fëmijë të marrë kujdesin dhe mbrojtjen që i takon. Duke bërë thirrje për drejtësi dhe rishikim sistematik, ne theksojmë rëndësinë parësore të respektimit të privatësisë dhe dinjitetit të familjes së viktimës gjatë kësaj kohe të dhimbshme. Mediat dhe individët që diskutojnë këtë rast inkurajohen të bëjnë këtë me ndjeshmëri maksimale dhe të shmangin çdo publikim ose raportim që mund të shkaktojë dëme të mëtejshme ndaj familjes. E drejta e tyre për privatësi duhet të mbrohet, duke siguruar që atyre t’u lejohet të mbajnë zi dhe të kërkojnë drejtësi pa ndërhyrje publike ose spekulime të panevojshme. Ne shprehim ngushëllime të sinqerta për familjen!”, thuhet tutje.

Kujtojmë që 4 vjeçarja nga Gjakova ka vdekur gjatë së hënës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Policia për teve1.info kishte konfirmuar se vajza ishte transferuar në QKUK, nga Spitali i Gjakovës pas rëndimit të gjendjes së saj shëndetësore.