Vdes Martti Ahtisaari, ndërmjetësuesi që propozoi pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën

Presidenti i Finlandës, Martti Ahtisaari, i cili mori çmimin Nobel për Paqen për veprën e tij të jetës, ka vdekur, njoftoi Presidenca finlandeze.

Ish-ndërmjetësuesi kryesor i Kombeve të Bashkuara për zgjidhjen e statusit të Kosovës, ka vdekur të hënën më 16 tetor në orën 6:40 në Helsinki.

Ahtisaari lindi më 23 qershor 1937 në Vyborg dhe ishte 86 vjeç kur vdiq.

Martti Ahtisaari ishte presidenti i dhjetë i Finlandës në vitet 1994–2000.

Në vitin 2008, Ahtisaari, i cili në atë kohë ishte 71 vjeç, u nderua me Çmimin Nobel për Paqen për karrierën e tij si ndërmjetës për paqen që zgjati më shumë se tre dekada.

Ndërsa një vit më parë, më 2 shkurt 2007 i dërguari special për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, dorëzoi propozimin e tij në Prishtinë dhe Beograd.

Ky propozim ishte edhe nisma e krijimit të shtetit të pavarur të Kosovës. Edhe pse plani u dorëzua, gjatë gjithë kohës mendohej se Martti Ahtisaari do të propozojë pavarësi të kushtëzuar, por pa përmendur fjalën pavarësi.

Sipas Ahtissarit dhe ekipit të tij, synimi i propozimit të gjithanshëm për marrëveshjen mbi statusin e Kosovës ishte të përcaktojë kërkesat e nevojshme për një Kosovë të ardhshme që është e mundshme, e mbështetshme dhe e stabilizuar.

Plani i tij gëzoi atëkohë mbështetjen e autoriteteve kosovare, ndërsa, u kundërshtua nga Qeveria e Serbisë, e cila e cilësonte propozimin si të dëmshëm për shkak se, siç thuhej, prek sovranitetin e shtetit serb.

Ndonëse fjala “pavarësi” nuk përmendej në draft-dokumentin në fjalë, udhëheqësit kosovarë patën shprehur bindjen se “procesi ndërkombëtar për zgjidhjen e statusit të Kosovës i udhëhequr nga presidenti Ahtisaari do të përfundonte shpejt me pavarësimin e Kosovës”.

Bindja e tyre do të realizohej pjesërisht më se dy javë pas takimit të fundit të nivelit të lartë midis Prishtinës dhe Beogradit. Negociatat e ndërmjetësuara Ahtisaari që kishin filluar në korrik të 2006-ës në Vjenë, u përmbyllën në po atë qytet më 10 mars me mbledhjen e fundit ndërmjet palëve.

Më 26 mars Ahtisari ia dorëzoi sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara raportin final dhe rekomandimin që Kosova të fitojë një pavarësi të mbikëqyrur.