Vdes një person nga Covid-19 në Kosovë

Me qëllim të detektimit të hershëm të rasteve të COVID-19 dhe implikimeve të mundshme në shëndetin e popullatës, IKSHPK po përcjellë në vazhdimësi situatën epidemiologjike me variantet e reja të COVID-19, duke hulumtuar dhe gjurmuar në vazhdimësi burimet e mundshme të përhapjes së rasteve.

Ndërkohë që Qendra Evropiane për Parandalim dhe Kontroll të Sëmundjeve (ECDC) ka njoftuat se në javën 36 të vitit 2023 ( 04-10 shtator 2023) në rajonin evropian të OBSh-së ka pasur një rënie prej 8,1% të numrit të rasteve të reja dhe një rënie prej 11,3% të numrit të vdekjeve krahasuar me javën 35/2023, IKSHPK njofton se në dy javët e fundit (30.08.2023 – 12.09.2023) në Kosovë janë raportuar 67 raste pozitive dhe 1 rast i vdekjes me COVID-19.

Sipas grup-moshave rezulton se numri më i madh i rasteve i takojnë grup-moshave 50-59 vjeç (me 16 raste) dhe 60-69 vjeç (me 15 raste) me moshë mesatare 52 vjeç.

Prej rasteve të konfirmuara me COVID-19, sipas komunave rezulton se numri më i madh i rasteve është raportuar nga komuna e Prishtinës (25 raste), Pejës (8 raste) dhe Gjakovës (7 raste) kurse incidenca më e lartë e rasteve është raportuar në komunën e Prishtinës me 13 raste në 100,000 banorë dhe Kaçanikut me 12 raste në 100,000 banorë.

Instituti Kombëtar ka ngritur kapacitetet e veta laboratorike dhe në Departamentin e Mikrobiologjisë, janë sekuencuar dhe analizuar me sukses në javën e parë të shtatorit të vitit 2023 në total 29 mostra me SARS-CoV-2 të mbledhura nga rastet pozitive me COVID-19 në Kosovë nga periudha prill-gusht 2023, përkatësisht nga java e pesëmbëdhjetë (15) deri në fund të gushtit javën e tridhjetë e pesë (35) të vitit 2023, me 75% të mostrave të marra në muajin gusht kur është rritur pozitiviteti i mostrave për SARS CoV-2.

Nga totali i mostrave 34.48% (në 10 raste) është detektuar varianti Omicron Clade 22F përfaqësuar nga varianti i interesit XBB dhe ate sublinja XBB.1 u detektua tek 7 raste, sublinja XBB.2.6 në 1 rast dhe sublinja XBB.1.30 detektuar në 2 raste.

ECDC përdor tre kategori të klasifikimit të varianteve për të komunikuar nivelet në rritje të shqetësimit për një variant të ri ose në zhvillim SARS-CoV-2: varianti nën monitorim (VUM), varianti i interesit (VOI) dhe varianti i shqetësimit (VOC).

Shumë vende tashmë kanë ndryshuar, ose kanë filluar të ndryshojnë strategjitë e tyre të testimit, zakonisht me fokus në testimin më të synuar të popullatave vulnerabil ose rasteve të sëmundjeve të rënda.

Përkundër pranisë së rasteve të COVID-19, situata epidemiologjike në Republikën e Kosovës me COVID-19 mbetet e qetë, ndërsa qytetarët që manifestojnë shenja të infeksionit këshillohen të testohen dhe konsultohen me mjekun për çdo dyshim në COVID-19, si pjesë e masave të parapara për kontrollin dhe luftimin e infeksionit me COVID-19.