Ballina Lajmet Kosovë Vdes nxënësi që ra në lumin e Gadimes

Vdes nxënësi që ra në lumin e Gadimes

Nxënësi Zejn Zejnullahu, i cili më herët ishte raportuar si i zhdukur dhe më pas u gjet në lumin e Gadimes, ka ndërruar jetë, pavarësisht përpjekjeve për ta shpëtuar.

Lajmi është konfirmuar nga të afërmit dhe personat që i kanë dalë në ndihmë në vendin e ngjarjes.

Driton Shabiu ka bërë të ditur se, pavarësisht angazhimit të madh të vendasve dhe ekipit mjekësor, i riu nuk arriti të mbijetojë.

“Pas një përpjekjeje të madhe nga ne, vendasit dhe mjekët, nxënësi ynë Zejna nuk arriti të shpëtojë. Lusim Zotin e madh të mos ketë raste të tilla. Ngushëllime familjes”, ka shkruar ai.

Sipas informacioneve, gjendja shëndetësore e Zejn Zejnullahut në momentin e gjetjes ka qenë e rëndë.

Ai është dërguar me urgjencë për tretman mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Me pranimin e tij në Shërbimin Emergjent të QKUK-së, ekipet mjekësore kanë nisur menjëherë reanimimin, por fatkeqësisht, pas përpjekjeve intensive, i riu ka ndërruar jetë.