Vedat Muriqi e Florent Muslija, pjesë e ekipit që performuan më së miri në rrethin e gjashtë të Ligës së Kombeve

SofaScore ka formuar një ekip me lojtarët që patën paraqitjet më të mira në kuadër të rrethit të gjashtë (të fundit) në Ligën e Kombeve.

Gara më e re e UEFA-s e përfundoi edicionin e tretë të fazën së grupeve të martën mbrëma, derisa vëmendja jonë ishte te Kosova dhe Shqipëria.

Dardanët morën fitore të thellë 5-1 ndaj Qipros, duke e blinduar vendin e dytë në Ligën C me nëntë pikë.

Në anën tjetër, Shqipëria ia doli që të barazonte 1-1 me Islandën, duke e mbyllur këtë fazë me vetëm dy pikë të grumbulluara.

Kur jemi tek vlerësimi i lojtarëve që patën paraqitje më të mirë në këtë rreth (6-të), Vedat Muriqi dhe Florent Muslija ia kanë dalë të jenë pjesë e ekipit të mbushur me emra të mëdhenj.

Sulmuesi i Kosovës ka marrë notën 8.9, ndërsa mesfushori është vlerësua me 8.7.