Veprimi i Ismajlit që s’u pa në TV: Shkoi në tribuna dhe përqafoi nënën e tij pas fitores kundër Polonisë

Kombëtarja shqiptare e futbollit ka shënuar fitore kundër Polonisë, në një ndeshje shumë të rëndësishme në rrugën drejt Kampionatit Evropian “Euro 2024”.

Kuqezinjtë triumfuan 2:0 kundër Polonisë, në stadiumin “Air Albania” në Tiranë, në kuadër të Grupit E në kualifikimet për Kampionatin Evropian, shkruan lajmi.net.

Mbrojtësi i Kombëtares së Shqipërisë, Ardian Ismajli zgjodhi që fitoren ta festonte edhe me nënën e tij që ndodhej në tribuna.

Ismajli vrapoi drejt tribunës duke kaluar barrierat rreth fushës dhe në një video shihet teksa përqafon nënën e tij.

Shqipëria me këtë fitore është lidere e grupit me 10 pikë të grumbulluara.

Tetë pikë ka Çekia në pozitën e dytë, po aq sa Moldavia. Polonia është e parafundit me gjashtë pikë, ndërkaq e fundit është Ishujt Faroe me vetëm një pikë./