Veseli në Francë merr mbështetje për Kosovën dhe kërkon trajnimin e kadetëve të FSK-së

ryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, është pritur sot në Paris në një takim të veçantë nga Kryetari i Senatit të Francës, Gerard Larcher, me të cilin ka diskutuar për bashkëpunimin ndërparlamentar dhe për mbështetjen e Francës në rrugën e integrimeve evropiane të Kosovës.

Kryetari i Dhomës së Lartë të Parlamentit të Francës, sipas komunikatës nga Kuvendi i Kosovws, Gerard Larcher, ka thënë Kosova gëzon mbështetje të plotë dhe se Franca është e interesuar ta thellojë bashkëpunimin ekonomik me Kosovën/

Duke biseduar për integrimet evropiane të Kosovës, Larcher dhe Veseli janë pajtuan që një delegacion i kryesuar nga Kryetari i Çështjeve Evropiane të Francës ta vizitojë Kuvendin e Kosovës me disa anëtarë të Senatit, për të ofruar ekspertizë për deputetët kosovarë në përmbushjen e kritereve për integrimet evropiane.

Me këtë rast, Veseli ka thënë se qysh javën e ardhshme do t’u bëj ftesë anëtarëve të Senatit francez që ta vizitojnë Kosovën.

Një çështje tjetër e diskutuar në takim ishte edhe dërgimi i disa kadetëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës për trajnime dhe specializime në fushën e sigurisë në Francë.

Kryetari i Senatit të Francës ka kujtuar kohën e luftës në Kosovë, gjatë së cilës ai ishte Kryebashkiak i Rambouillet, ndërsa ka përgëzuar lidershipin e Kosovës për progresin e arritur nga ajo kohë në ndërtimin dhe zhvillimin e Kosovës.

Ai ka deklaruar se Kosova është e interesuar të thellojë bashkëpunimin në gjitha fushat me shtetin francez.

“E vlerësojmë shumë rolin që Franca ka luajtur për lirinë e Kosovës, por edhe për konsolidimin e shtetësisë sonë. Tani që vendet tona po thellojnë bashkëpunimin, unë thërras sot investitorët francezë që të investojnë në Kosovë, pasi vendi ynë ofron mundësi të shumta”, është shprehur Veseli.