“Veteranët”, refuzohet kërkesa e të akuzuarve që të dëshmojnë ish-kryeministrat

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës sot po mbahet seanca për rastin e njohur si “Veteranët” ku po vazhdohet me administrimin e provave materiale.

Trupi gjykues refuzoi kërkesën e të akuzuarit Fadil Shurdhaj që të thirren për të dëshmuar të gjithë kryeministrat duke filluar nga Hashim Thaçi, Isa Mustafa dhe Ramush Haradinaj.

Kryetarja e trupit gjykues, Nushe Kukaj- Mekaj tha se ky propozim ka rrjedh edhe nga të gjithë të akuzuarit e tjerë.

Në rastin e njohur si “Veteranët” të akuzuar janë Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Shukri Buja, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Çelë Gashi, Ahmet Daku dhe Xhavit Jashari.

Sipas aktakuzës së vitit 2018, të përpiluar nga ish-prokurori Elez Blakaj, personat e përfshirë akuzohen se nga viti 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare.