Vetëvendosje: Nuk jemi të përfshirë në punësime partiake

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, deklaroi të mërkurën se ky subjekt politik nuk është i përfshirë në punësime partiake, e sipas tij, VV-ja ka qenë gjithmonë kundër praktikave të punësimit pa kriter.

Për punësimet e reja në një konkurs të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Manxhuka tha se asnjë zyrtar i VV-së nuk e ka askënd të punësuar aty, derisa paralajmëroi padi për personat që deklaruan se VV-ja ka punësuar militantë.

“U tentua që e gjithë fushata ndaj VV-së të nisë duke akuzuar dy deputetë për punësime familjare, njëri doli të ketë vëllain në Kanada, por portalet ja punësuan në KEK, dhe tjetrit ja bënë një nip që nuk e dinte që e kishte derisa e pa në portale”, shkroi Manxhuka në Facebook.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, në lidhje me punësimet e fundit në Korporatën Energjetike të Kosovës.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Shkëmb Manaj, tha se partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje ka punësuar mbi 100 persona në KEK, që sipas tij, janë të afërm të anëtarëve të kësaj partie.