Numri i viktimave nga ethet e Nilit Perëndimor në Maqedoninë e Veriut është rritur në 10, pasi ka ndërruar jetë një pacient 70-vjeçar, raporton Anadolu.
Drejtori i Klinikës Universitare për Sëmundje Infektive dhe Gjendje Febrile, dr. Fadil Cana, informoi për gjendjen lidhur me ethet e Nilit Perëndimor në vend.
Cana tha se pacienti që ndërroi jetë kishte qëndruar 57 ditë në Repartin e Kujdesit Intensiv të Klinikës, por pavarësisht të gjitha masave dhe procedurave të ndërmarra, ndërroi jetë gjatë fundjavës.
“Ka vetëm një pranim të ri të konfirmuar më 25 shtator. Ndërkaq, gjithsej shtatë pacientë janë të hospitalizuar në Klinikë, prej të cilëve dy kanë pasqyrë më të rëndë klinike”, tha ai.
Ai shtoi se deri më tani gjithsej 67 raste me formën neuroinvazive të sëmundjes janë hospitalizuar në Klinikë, prej të cilëve 10 kanë ndërruar jetë, 50 janë shëruar ndërsa shtatë aktualisht janë në këtë institucion shëndetësor publik.




