Von der Leyen dorëzon pyetësorin: Udhëtimi i Kievit drejt BE-së fillon sot

Foto nga arkiva

“Jam thellësisht e bindur se Ukraina do ta fitojë këtë luftë, se do të fitojë liria dhe demokracia. Ne do të punojmë së bashku me Ukrainën për ta rindërtuar atë, me investime dhe reforma. Dhe e gjithë kjo do të formojë rrugën e Ukrainës drejt BE-së. ”

Kështu është shprehur presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, në takimin me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Kiev.

“Ukraina është pjesë e familjes evropiane. Ne e kemi dëgjuar shumë qartë kërkesën tuaj dhe jemi këtu për t’ju dhënë një përgjigje të parë pozitive: në këtë zarf është fillimi i rrugëtimit tuaj drejt BE-së. Në këtë zarf është pyetësori për anëtarësim në Bashkimin Europian, i cili do të duhet të plotësohet, atëherë rekomandimi duhet t’i bëhet Këshillit të BE-së. Nëse punojmë së bashku mund të jetë çështje javësh”, shtoi presidentja e Komisionit të BE-së.

“Ne jemi gati të punojmë me ju 24/7 për të plotësuar këtë pyetësor. Dhe nëse punojmë së bashku nuk do të jetë çështje vitesh si zakonisht, por çështje javësh”, shpjegoi Von der Leyen duke treguar zarfin me flamujt evropianë dhe ukrainas.

“Dhe ne do ta plotësojmë atë brenda një jave,” buzëqeshi Zelensky.

“Të gjithë duhet të jenë të barabartë para ligjit. Ukraina e ka mbështetur gjithmonë këtë parim. Ndryshe nga Federata Ruse, ne nuk kërkojmë të ndikojmë me fuqi në gjykatën ndërkombëtare, sepse jemi një vend demokratik, ndaj duam një gjykatë të pavarur. Jam i bindur se të gjitha veprimet e forcave të armatosura ukrainase duhet të jenë të drejta, por ne jemi në territorin tonë dhe nuk kemi vrarë civilë rusë apo bjellorusë”, tha Volodymyr Zelensky, në konferencën për shtyp në Kiev me presidenten e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen.

“Unë ju premtoj se ne do të kujdesemi shumë për refugjatët ukrainas në Evropë, ata meritojnë asgjë më pak” siguroi presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, duke iu drejtuar presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.

Von der Leyenn shtoi se sanksionet i bëjnë më shumë dëm Moskës sesa BE-së.

“Sanksionet po funksionojnë dhe janë bërë në një mënyrë inteligjente, sepse ato dëmtojnë Rusinë më shumë se ne. Por ne duhet të jemi vigjilentë sepse Moska po përpiqet të anashkalojë masat”, përsëriti Von der Leyen. /oranews