Vrasja e Agonis Tetajt, babai i tij i shkruan letër Lumir Abdixhikut

Isuf Tetaj, babai i të ndjerit Agonis Tetajt, vrasja e të cilit u përfol shumë ditëve të fundit në Kosovë, i ka shkruar letër kryetarit të porsazgjedhur të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Përmes kësaj letre, Tetaj i ka shprehur shqetësimin në lidhje me gjykimin e vrasjes së djalit të tij dhe ka kërkuar drejtësi.

Tetaj, gjithashtu i ka përmendur Abdixhikut avokatin e palës së akuzuar, Besnik Berishën, duke thënë se avokati ka abuzuar me procesin.

“Ju shkruaj ngase jeni edhe prind dhe mund ta ndjeni për një çast në zemrën tuaj se si do të ndiheshit nëse punëdhënësi nesër në vendin e punës do ta vriste fëmijën tuaj dhe gjithçka të jetë e pasqyruar nga kamerat e sigurisë, filmime këto të cilat neve si familje do të na ndjekin deri në varr”, thuhet në letrën që Isuf Tetaj i ka shkruar Abdixhikut.

“Unë si prind nuk do të kisha rrugë tjetër veçse për gjakun e djalit tim ta mbaj përgjegjës edhe avokatin Besnik Berisha, për të cilin ne do të bëjmë kallëzim penal”, vijon në letrën e tij Tetaj.

Letra e plotë e Tetajt drejtuar Abdixhikut, të cilën e ka siguruar Kallxo.

I nderuar z. Abdixhiku,

Ju shkruaj me qëllim të ju shpreh indinjatën time të thellë në lidhje me vrasjen e djalit tim në vendin e punës. Besoj nuk ju ka ikur si lajm të cilin e dhanë të gjitha mediat në Kosovë këto ditë, mënyrën se si u vra djali im dhe përpjekjen kriminale për të ndikuar drejtësinë, provuan që në mënyrë korruptive të orientohet vendimi i gjykatës duke e ricilësuar nga Prokurori Agron Uka në bashkëpunim me avokatin Besnik Berisha dhe ish Kryeprokurorin e Gjilanit Jetish Maloku, tani i avancuar në Kryetar të Këshillit Prokurorial të Kosovës, veprime këto ilegale jashtë seancave gjyqësore që veprën penale nga vrasje e rëndë me dashje ta kthejnë në vrasje nga pakujdesia.

Ju shkruaj ngase jeni edhe prind dhe mund ta ndjeni për një çast në zemrën tuaj se si do të ndiheshit nëse punëdhënësi nesër në vendin e punës do ta vriste fëmijën tuaj dhe gjithçka të jetë e pasqyruar nga kamerat e sigurisë, filmime këto të cilat neve si familje do të na ndjekin deri në varr.

U përpoqën që në mënyrë kriminale të pamundësohej gjykimi i drejt, rrjedhimisht të vritet edhe një herë djali im dhe ne si familje. Unë si prind nuk do të kisha rrugë tjetër veçse për gjakun e djalit tim ta mbaj përgjegjës edhe avokatin Besnik Berisha, për të cilin ne do të bëjmë kallëzim penal.

Avokati Besnik Berisha, fillimisht deri sa nuk ka qene avokat i rastit i të akuzuarit vrasjen e ka cilësuar si vrasje të rënd me dashje. Në çfarëdo rrethane rastin do duhet ta mbronte me profesionalizëm dhe integritet prej avokati dhe jo të abuzoj, të korruptoj dhe të bëj përpjekje të mohoj drejtësinë për vrasjen e djalit tim. E kuptoj rolin e avokatit ngase jam jurist me profesion dhe e respektoj përpjekjen që në mënyrë profesionale dhe ligjore maksimalisht të arrij të gjej prova të minimizoj veprën dhe nëse është e mundur ta nxjerr komplet të pa fajshëm të akuzuarin, mirëpo duket prezantuar prova në gjykatë të cilat do ti peshojë trupi gjykues dhe jo asesi të pengohet drejtësia dhe vendimi të merret nëpër kafiteri si dhe të nxjerr video të kamerave me qëllim që të provoj të manipuloj opinionin.

Avokat Besnik Berisha ka qenë edhe ish-këshilltari i kryeministrit të Kosovës. A thua ky avokat i djallit =qenka i specializuari për shkak të mënyrës së tij speciale të korruptoj prokuror dhe gjyqtar dhe jo për shkak së me integritet dhe profesionalizëm e bën punën e tij?

Gjykojeni vet se si ky zotëri po rastis te jete gjithnjë përfaqësues i këtyre rasteve ….

Ky pseudo avokat, pseudo jurist, ky gënjeshtar, ky mercenar i cili fillimisht kur doli në një media publike i disbalancuar psikologjikisht dhe nga mungesa e përgjigjes ose tentative për të fshehur të vërtetën mohoj komplet se qenka takuar ndonjëherë me kryeprokurorin e atëhershëm të Gjilanit, Jetish Maloku dhe prokurorin e çështjes Agron Uka, dhe tha se fotoja është krejt e montuar si e është mundur ky gënjeshtar, ky njeri pa integritet të nesërmen pa kaluar 24 orë nga presioni publik dhe prezantimi i fakteve e pranoj se qenka takuar kur mediat i nxorën informatat tjera dhe tha se jam takuar “max 3 min dhe min 5 minuta” duke mos ditur as çfarë po flet, ngase e vërteta vret.

A thu kështu me kësi lloj morali integriteti dhe profesionalizmi e paska pas këshillu edhe ish-kryeministrin e Kosovës. Analist politik, gazetar, biznesmen, seksist i gjykatave dhe prokurorisë, pse duhet të gjejë strehë ky profil njeriu tek organizimi i juaj politik dhe nëpër institucione të Kosovës. I nderuar kryetar, i nderuar Lumir ???!!!!

Deklarimet e tij publike pas vendimit të djeshëm meritor të trupit gjykues në Pejë duke sulmuar institucionet, kryeprokurorin, gjykatën e Pejës dhe trupin gjykues për vendimin e djeshëm nuk janë asgjë tjetër vetëm se shpërfaqja e një njeriu pa integritet dhe I cili në çfarëdo forme sheh vetëm përfitimin material prej shpirt humburi dhe asgjë tjetër.

Unë besoj fuqishëm se institucionet e drejtësisë në Kosovë kanë me e vendos drejtësinë për rastin e vrasjes së djalit tim.

Drejtësi, drejtësi, drejtësi ….”.