Vrasja e dijes dhe dijetarëve

Dr. Bashkim Aliu

Kur vdiq Omeri r.a., Abdullah ibn Mes’udi tha:”Vdekja e njëmijë adhuruesve është më e lehtë se vdekja e një dijetari largpamës në njohjen e hallallit dhe haramit (lejimeve dhe ndalimeve të Allahut)”.
Moment adekuat për të treguar gjëra madhështore. Vdekja e Omerit r.a., nuk ishte thjesht vdekje e një njeriu, por vdekje e një prijësi të drejtë dhe të fortë, vdekje e një strategu luftarak, vdekje e një njohësi të zhdërvjelltë të dijeve të fesë dhe vdekje e një besimtari të devotshëm. Vdekja e tij, para se ta godasë familjen e tij, e goditi tërë umetin dhe dijen, ngase ai ishte njeri i dijes dhe lider i madh i umetit.
Kështu është me dijetarët, kur vdesin ata, lehet një boshllëk në fushat e dijes, shuhet një zë i arsyes dhe një lartësues i shkencës. Prej parashenjave të fundit të botës është ngritja e dijes me vdekjen e dijetarëve. Për atë, nëse vdes nji adhurues jo i ditur, ka vdekur nji person i cili e ka vlerën e vet padyshim, por që nuk mund t’u shërbejë tjerëve me dije. Ndërkaq, kur vdes nji dijetar, vdes nji njeri nga i cili kanë dobi njerëzit tjerë për shkak të dijes së tij. Nisur nga kjo, Abdullah ibn Mes’udi ka thën se vdekja e adhuruesve të paditur, është më e lehtë se vdekja e vetëm një dijetari.
Po sot, çka të themi sot, kur dijen dhe dijetarët i vrasin pushtetarët dhe klanet e djallit. Nuk i vrasin me plumba, edhe pse disa herë ndodh edhe kjo, por i vrasin me margjinalizim dhe përjashtim. Sot, dijetarët dhe ekspertët pak çmohen dhe avansohen, veçanarisht në shoqëritë tona. Sot, në shoqëritë tona avansohen të paditurit, të paaftit, jo kompetentët dhe jo ekspertët, ndërkaq përjashtohen ekspertët, kompetentët dhe meritorët. Kjo, ngase meritorët nuk janë puthadorë të kryetarëve xhahila me dozë të lartë dyshimi për veprimtari kriminale, dhe as që u ngriten në këmbë të paaftive, po as që u përgjërohen shoferëve të qeveritarëve. Për këtë, ata janë të lënë në harresë. Dijetarët që kanë dhënë kontribut në shkencë dhe kanë lënë vepra, cilësohen si të pa aftë dhe që nuk dijnë gjë, nuk ia dijnë rendin jetës dhe nuk e njohin botën. Ndërkaq, bagabondat, ata janë njerëzit që dinë si të jetojnë dhe ua dinë rendin gjërave, dhe ata favorizohen. Me këtë, vritet dija dhe dijetarët, mu në institucione ku duhet më së tepërmi të vlerësohet dhe ngritet.

Nga: Bashkim Aliu