Vrasja në Malishevë, kryeprokurori dhe prokurori kujdestar në vendngjarje – Prokuroria zbardh detajet

Një vrasje e rëndë ka ndodhur sot në fshatin Golluboc të Malishevës.Dhëndrri ka vrarë dy vëllezërit e gruas së tij.

Në vendngjarje ku ka ndodhur rasti ndodhen kryeprokurori dhe prokurori kujdestar, ka thënë Prokuroria Themelore në Gjakovë.

“Ju njoftojmë se në lidhje me rastin në vendin e ngjarjes kanë dal të gjitha njësitet e nevojshme të policisë, Kryeprokurori dhe Prokurori Kujdestar. Sipas udhëzimeve të prokurorit kujdestar, policia është duke ndërmarrë të gjitha veprimet për sigurimin e provave në këtë çështje penale”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Lajmin për Tëvë1 pak më parë e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës në rajonin e Gjakovës, Lumni Graishta.

“Është vrasje e dyfisht, viktima dy vëllezër nga fshati Gollubovc-Malishevë ndërsa i dyshuari është dhëndrri i tyre nga një fshat i komunës së Drenasit”, tha Graishta për lajmi.net

Detaje të tjera ka dhënë edhe zëdhënësi i Policisë në rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.

“Rreth orës 11:30, jemi njoftuar se dy persona të gjinisë mashkullore, të moshës madhore (vëllezër), janë dërguar në QMF-në e Kijevës si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit në fshatin Golluboc të Malishevës. Personeli mjekësor në QMF ka konstatuar vdekjen e viktimave. Njësitë e nevojshme policore i janë përgjigjur menjëherë rastit dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes, ka shtuar ai.

Aktualisht, Njësia K9 e Policisë së Kosovës është angazhuar në terren për lokalizimin e të dyshuarit, i cili pas ngjarjes është arratisur.