Të paktën shtatë palestinezë të tjerë u vranë në sulmet e ushtrisë izraelite në pjesë të ndryshme të Rripit të Gazës, transmeton Anadolu.
Sipas burimeve spitalore dhe dëshmitarëve okularë, Izraeli përsëri shënjestroi civilët, si dhe tendat, automjetet dhe ndërtesat ku strehoheshin personat e zhvendosur.
Katër palestinezë u vranë, shumë u plagosën dhe dhjetëra të tjerë rezultojnë të zhdukur nën rrënoja në një sulm ajror izraelit që shënjestroi ndërtesën Hajjaj në rrugën “Omar al-Mukhtar” në qytetin e Gazës.
Tre palestinezë u vranë dhe të tjerë u plagosën në një bombardim izraelit të një shtëpie në kampin e refugjatëve Shati’i në perëndim të qytetit. Shumë palestinezë u plagosën dhe u bllokuan nën rrënoja në një sulm ajror në një shtëpi tjetër në të njëjtin kamp.
Ushtria izraelite nisi sulme ajrore në kampin e refugjatëve Shati’i ndërsa bombardoi edhe zonat veriore nga toka dhe deti. Ushtria izraelite nisi sulme të rënda në zonën përreth Universitetit të Hapur të Kudsit dhe kryqëzimit Meznar në qytetin perëndimor të Gazës.
Shkatërrimi rezultoi nga sulmet ndaj ndërtesave dhe objekteve në lagjet Tel al-Hawa dhe Sabra në jug të qytetit duke përdorur dronë izraelitë të ngarkuar me eksplozivë.
Artileria izraelite granatoi gjithashtu lindjen e kampit të refugjatëve Meghazi dhe qendrën e qytetit të Khan Younis.







