Vriten 7 protestues në Irakun jugor

Shtatë protestues irakianë u qëlluan për vdekje nga militantët e mbështetur nga Irani në qytetin jugor Hilla, tha një oficer i policisë lokale, raporton Anadolu Agency (AA).

Militantët e organizatës Badr të lidhur me grupin Hashd al-Shaabi hapën zjarr ndaj protestuesve gjatë natës, duke vrarë shtatë persona dhe duke plagosur 42 të tjerë, tha oficeri në kushte anonimiteti.

Pamjet që qarkullonin nga aktivistët treguan se militantët hapnin zjarr ndaj protestuesve dhe forcave të sigurisë në qytet.

Organizata Badr është anëtare e forcave pro-qeveritare Hashd al-Shaabi.

Vala e re e protestave ka tronditur disa provinca Irakiene që nga e premtja kundër korrupsionit të qeverisë, papunësisë dhe mungesës së shërbimeve themelore.

Të paktën 63 persona janë vrarë dhe më shumë se 2.500 të tjerë janë plagosur gjatë demonstratave, sipas Komisionit të Lartë të Irakut për të Drejtat e Njeriut.

Pakënaqësia është rritur në Irak vitet e fundit për shkak të rritjes së papunësisë dhe korrupsionit të shfrenuar. Pjesa më e madhe kanë qasje të kufizuar në shërbimet themelore, siç janë energjia elektrike dhe uji i pastër.

Sipas shifrave të Bankës Botërore, papunësia e të rinjve në Irak është rreth 25 për qind. Iraku po ashtu renditet si vendi i 12-të më i korruptuar në botë nga disa organizata të transparencës.