Vucic flet takimin me Thaçin, e përmend Lidhjen e Prizrenit

Presidenti serb, Aleksandar Vucic,në mbyllje të Samitit të Sofjes ka thënë se në dialogun me Kosovën duhet gjetur një marrëveshje kompromisi që do të ishte e pranueshme edhe për popullin e tij, duke theksuar se ky është një problem që ekziston tash e 140 vjet andaj nuk është lehtë të gjendet zgjidhja.

“Dua të besoj që Serbia do të ketë mjaftueshëm forcë, që nëse do të ketë dëshirë për kompromis nga ana tjetër, të gjejmë zgjidhjen për Kosovën e cila do të jetë e pranueshme për qytetarët tanë. Do të japim gjithçka nga vetja, dhe do të luftojmë për këtë, por a do t’ia arrijmë nuk varet vetëm nga ne”, deklaroi Vucic, transmeton GazetaMetro.net

Sa i përket bisedës që kishte me presidentin e Kosovës Hashim Thaci, Vucic tregoi se iniciatore ishte Angela Merkel, në momentet kur u boja e përbashkët.

“Pastaj Merkel e thirri Thaçin dhe mua, që së bashku me Borisovin (presidentin bullgar) të shkëmbenim disa fjalë. Gjithmonë kërkoni lajmë të mëdha, e unë jam dikush që dëshiron të shoh përparim të ndjeshëm për të mundur të them një gjë të tillë. Për momentin vetëm shpresoj që do të vazhdojmë dialogun e pastaj të shohim rezultatet, deklaroi presidenti serb.

I pyetur se a është e mundur të gjendet zgjidhja, Vucic kujtoi se mospajtimet për Kosovën kanë nisur prej Lidhjes së Prizrenit, më tepër se 140 vjet më parë.

“Kjo nuk është 140 ditë”, tha Vucic, duke lënë të nënkuptohet se gjetja e zgjidhjes kërkon kohë.

Ai edhe një herë përsëriti deklaratat e mëparshme se për marrëveshje, edhe pala kosovare duhet të heq dorë nga diçka.