Vuçiq dhe Aliyev: Serbia dhe Azerbajxhani mbështesin njëra-tjetrën në skenën ndërkombëtare

Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, theksuan në Beograd se janë dy vende miqësore dhe mbështesin njëra-tjetrën në aspektin e integritetit territorial, raporton Anadolu Agency (AA).

“Serbia dhe Azerbajxhani kanë mbështetur njëra-tjetrën në arenën ndërkombëtare. Ne gjithmonë kemi mbështetur integritetin territorial të Serbisë dhe ky qëndrim nuk do të ndryshojë në të ardhmen”, tha Aliyev në konferencën për media pas takimit me Vuçiqin.

Aliyev theksoi se marrëdhëniet e mira mes dy presidentëve janë faktori kryesor për zhvillimin e marrëdhënieve, se dy vendet janë në thelb partnerë strategjikë dhe për këtë arsye nënshkrimi i deklaratës për krijimin e Këshillit për Partneritet Strategjik është hap i rëndësishëm. Ai vuri në dukje se Azerbajxhani ka resurse të pasura me gaz.

“Roli ynë do të rritet dhe ne do të bashkëpunojmë në radhë të parë me vendet mike, jo vetëm kur bëhet fjalë për energjinë”, tha Aliyev.

Presidenti i Azerbajxhanit shtoi se me Serbinë po zhvillohen bisedime edhe në sferën ushtarako-teknike. Siç tha ai, përfaqësuesit e dy vendeve duhet të takohen më shpesh dhe bëri të ditur se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deri në fund të vitit do të vizitojë Bakun, ndërsa ai do të vijë edhe një herë në Beograd.

Aliyev foli edhe për të drejtën ndërkombëtare dhe theksoi se në forumet ndërkombëtare po miratohen dokumente dhe deklarata të shumta që kërkojnë tërheqjen e trupave armene nga pjesët e pushtuara të Azerbajxhanit, por se problemi nuk është zgjidhur kurrë.

“Kjo tregon se vendimet dhe rezolutat e miratuara nga organizatat ndërkombëtare janë selektive. Ndonjëherë rezolutat miratohen brenda një dite, brenda pak orësh dhe ne duhet të presim 27 vjet për zbatimin e tyre”, tha Aliyev.

Ai shtoi se meqenëse asgjë nuk po ndodh në bazë të deklaratave të miratuara në organizatat ndërkombëtare, Azerbajxhani po përdor të drejtën e tij nga Karta e Kombeve të Bashkuara – të drejtën për vetëmbrojtje.

“Ne mbështesim me forcë integritetin tonë territorial dhe po rindërtojmë objektet në territoret e çliruara. Ne po e ndërtojmë atë nga hiri”, tha Aliyev.

– Vuçiq: Biseduam për bashkëpunim në fushën e energjisë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se sot “ka mbetur pak nga e drejta ndërkombëtare”. Ai vlerësoi se nënshkrimi i deklaratës për themelimin e Këshillit për Partneritet Strategjik shënon fillimin e një niveli të ri të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Vuçiq tha se kanë biseduar për bashkëpunim në fushën e energjisë, sepse Azerbajxhani është fuqi gazi dhe Serbia po shikon se si të lidhet me kabllon e transmetimit të energjisë elektrike që do të shkojë në Evropë, për të garantuar sigurinë energjetike.

Presidenti serb shtoi se Aliyev është bërë shumë i njohur në Evropë.

“Zakonisht nuk kishin kohë për të, tani të gjithë kanë kohë për Ilham Aliyev-in. Jam pak xheloz, mua më thërrasin vetëm rreth Kosovës, vetëm kur dikush duhet të më godasë në kokë ndërsa atë e thërrasin sepse e duan. Ai nuk ka ndryshuar, ai vetëm mbronte vendin e tij ndërsa disa të tjerë vetëm le të mendojnë a mund të kenë ndryshuar ata”, tha Vuçiq.

Ai shtoi se shpreson se lidershipi i Serbisë do ta mbrojë vendin e tij të paktën sa gjysma e suksesit të Aliyev-it i cili e mbrojti Azerbajxhanin.