Vuçiq pas takimit me Borell e Lajçak: Bisedimet e vështira në Bruksel sapo kanë filluar

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrellin dhe të dërguarin special të BE-së, Miroslav Lajçakun ka thënë se bisedimet e vështira në Bruksel sapo kanë filluar.

“Bisedimet e vështira në Bruksel sapo kanë filluar”, ka shkruar Vuçiqi në rrjetin social Instagram.

Pas takimit me Vuçiqin, të dy diplomatët evropianë kanë takuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ndërsa në orën 11:00, pritet të zhvillohet takimi i përbashkët.

BE ka njoftuar se Borrell dhe emisari Lajçak do të zhvillojë takime të veçanta me liderët përkatës të cilët do të pasohen nga një takim i përbashkët trepalësh.

“Takimi do të fokusohet në zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, si dhe çështjet aktuale”, thuhet në njoftimin e BE-së.

Më pas Borrll do të ketë një konferencë të përbashkët për media.

Ndryshe, Kurti dhe Vuçiç janë takuar për herë të fundit më 2 maj, nëntë ditë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri të Kosovës.

Pas shpërthimit të tensioneve në veri të vendit, s’janë mbajtur takime të nivelit të lartë, përveç atyre të nivelit teknik.