Vuçiq rreth dialogut me Kosovën: Duhet të arrijmë një kompromis me shqiptarët

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka pasur një bisedë me “Këshillin e Atlantikut” për gjendjen me pandeminë.

I pari shtetit serb nuk ka mundur të anashkalojë edhe raportet me Kosovën si dhe dialogun mes dyja vendeve.

Ai tha se të dyja palët duhet të përmbushin atë që u nënshkrua në Bruksel, transmeton Telegrafi.

“Ju nuk dëgjoni ndonjë shantazh nga Beogradi. Ne nuk kërcënojmë me dëmshpërblimet e luftës dhe procese gjyqësore, por ne dëgjojmë se çdo ditë nga Prishtina dhe nuk ka asnjë reagim nga SHBA-ja dhe BE-ja”, tha presidenti, duke theksuar se është e rëndësishme të rrisin besimin midis dy palëve.

Presidenti serb vuri në dukje se “njëra palë nuk mund të marr gjithçka”. Vuçiq tha se është e “nevojshme që shqiptarët të bien dakord për një kompromis të caktuar”.

Duke folur për “Mini-Shengenin”, Vuçiq thotë se i është mirënjohës administratës amerikane për mbështetjen e kësaj ideje më shumë sesa vendeve evropiane dhe thekson se kjo është “një ide e shkëlqyeshme politike dhe e ardhmja e rajonit”.

“Ne duhet të kuptojmë frikën e tyre nga dominimi serb në rajon më mirë sesa i kuptojmë normalisht dhe duhet t’i bindim ata se nuk është mirë vetëm për Serbinë, por edhe më mirë për ta”, tha ai.

Ai shton se zyrtarët serbë nuk flasin për Serbinë e Madhe, por se udhëheqësit shqiptarë flasin për të ashtuquajturën “Shqipëria e Madhe”.

Ndryshe, diskutimi është pjesë e nismës #BallkanForward, një përpjekje e koordinuar për të rritur demokracinë në Ballkan Perëndimor drejt integrimit në komunitetin Euro-Atlantik.