Vuçiqi e pranon se mori dokument për Kosovën nga QUINT-i, thotë se s’mund ta publikojë

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e ka konfirmuar se ka pranuar një dokument nga ambasadorët e QUINT-it sot, por ka thënë se nuk mund të zbulojë detajet e tij sepse kanë marrëveshje që të mos publikohet ai dokument.

Megjithatë, ai tha se ky dokument sigurisht që ka të bëjë me Kosovën dhe dialogun në mes të dyja vendeve, shkruan Tanjug, transmeton Klankosova.tv.

Vuçiq deklaroi gjithashtu se partnerët perëndimorë janë të shqetësuar për mundësinë e një eskalimi të situatës në terren lidhur me afatin për konvertimin e targave të Serbisë në ato të Republikës së Kosovës.

Lideri serb, që këto deklarata i bëri kur vizitoi punimet në ndërtimin e stadiumit të qytetit në Leskovc, iu tha gazetarëve që nuk ka as edhe një milimetër progres për çështjen e targave.

Aleksandër Vuçiq gjatë ditës ka takuar ambasadorët e shteteve të QUINT-it [SHBA-ja, Britania e Madhe, Franca, Italia dhe Gjermania], si dhe shefin e Delegacionit të BE-së në Serbi.

Radiotelevizioni publik i Serbisë ka raportuar se ambasadorët e QUINT-it i kanë dorëzuar Vuçiqit një dokument të përbashkët në të cilin shprehin shqetësimin e tyre për prishjen e mundshme të stabilitetit në rajon, në prag të afatit për riregjistrimin e automjeteve me targa serbe në Kosovë.

Vuçiq ka deklaruar se ndan shqetësimin për tensione të mundshme, duke shtuar se “Serbia është e përkushtuar për dialogun si mënyrë për zgjidhjen e çështjeve të hapura, në të mirë të serbëve dhe shqiptarëve që jetojnë në Kosovë e Metohi, pa i rrezikuar interesat e tyre shtetërore dhe kombëtare”.