VV dorëzon në Gjykatën Kushtetuese përgjigjet për shkeljet e pretenduara të Thaçit

Nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese komentet e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje. Ato thuhet se janë përgjigje ndaj komenteve të presidentit Thaçi për atë që ata pretendojnë si shkelje e rëndë, rrjedhimisht për veprimet që VV i cilëson si antikushtetuese të datës 23 mars 2020.

“Presidenti jashtë mandatit e funksionit të tij kishte bërë thirrje për mosrespektim dhe moszbatim të vendimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Duke kërcënuar organet ligj zbatuese me sanksionime penale, e drejtë kjo vetëm e sistemit gjyqësor të vendit tonë”, thuhët në komunikatën e VV-së.

Për VV-në, “vendimet e Qeverisë kishin të bëjnë me mbrojtjen e jetës së qytetarëve nga pandemia Covid-19, ndërsa sjellja e presidentit për të shpallur publikisht vendime të Qeverisë pa efekt juridik dhe thirrjet për moszbatim e mosbindje civile përveç rrezikim të shëndetit publik, ishin shkelje serioze e Kushtetutës nga ana e tij, ndërhyrje brutale, cenim të pavarësisë së pushteteve, si dhe rrezikim i lirive dhe të drejtave të njeriut”.

“Me këtë rast, Presidenti ka bërë shkelje serioze të trefishtë të Kushtetutës dhe me paramendim. Këtë e rikonfirmon edhe vetë ai në komentet e dërguara në Gjykatën Kushtetuese, duke u përpjekur ta arsyetojë veprimin e tij dhe shkeljen e rëndë kushtetuese. Përmes këtyre komenteve, Presidenti pranon veprimet e tij antikushtetuese, ndonëse përpiqet të fshihet prapa imunitetit funksional të pozicionit të Presidentit. Por, këto shkelje serioze nuk mund të justifikohen e as të tejkalohen në emër të imunitetit funksional. Për rrjedhojë presim që Gjykata Kushtetuese të vlerësojë dhe të konstatoj antikushtetutshmërinë e veprimeve të Presidentit të datës 23 mars 2020”, përfundon komunikata e VV-së.