Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Wall Street Journal: Izraeli mbështet milici të reja në Gaza kundër Hamasit

Wall Street Journal: Izraeli mbështet milici të reja në Gaza kundër Hamasit

Gazeta amerikane Wall Street Journal ka zbuluar se Izraeli po mbështet në mënyrë jozyrtare milici të reja palestineze brenda Rripit të Gazës për t’u përballur me Lëvizjen e Rezistencës Islamike (Hamas). Sipas gazetës, kjo strategji synon të anashkalojë kufizimet e vendosura ndaj ushtrisë izraelite nga marrëveshja e armëpushimit.

Raporti thotë se këto grupe të armatosura veprojnë në zona nën kontrollin izraelit, por kryejnë sulme edhe në zona që teorikisht janë jashtë fushëveprimit të operacioneve ushtarake izraelite. Ato përfitojnë mbështetje të drejtpërdrejtë, përfshirë informacione inteligjence, mbulim ajror me dronë dhe furnizime të ndryshme.

Mbështetja izraelite ndaj këtyre grupeve doli hapur në pah kur Hussam al-Asatl, një nga komandantët e këtyre milicive, u mburr publikisht se kishte vrarë një zyrtar të policisë së Hamasit në zonën Al-Mawasi, duke kërcënuar se do të vazhdonte shënjestrimin e anëtarëve të lëvizjes.

Në një intervistë telefonike për Wall Street Journal, al-Asatl deklaroi se polici i vrarë “u shkaktonte probleme njerëzve që donin të vinin tek ne” dhe shtoi se “çdo kush që do ta zëvendësojë, do të vritet”.

Në një mesazh video, ku shfaqej duke mbajtur një armë automatike, al-Asatl tha: “I themi Hamasit dhe kujtdo që i përket Hamasit: ashtu siç arritëm tek ata, do të arrijmë edhe tek ju”. /mesazhi