Xhaka mungon shkaku i kartonëve, por Zvicrën sërish e udhëheq një shqiptar – Shaqiri kapiten ndaj Spanjës

Granit Xhaka do të jetë mungesa e madhe e Zvicrës në çerekfinale të Kampionatit Evropian.

Mesfushori shqiptar është lider i helvetikëve pasi bart edhe shiritin e kapitenit.

Por përkundër mungesës së Granit Xhakës, një tjetër futbollist shqiptar do ta udhëheq Zvicrën në çerekfinale.

Xherdan Shaqiri është zëvendës kapiten i helvetikëve dhe shiriti pritet të jetë në krahun e tij sonte ndaj Spanjës.

Si Xhaka ashtu edhe Shaqiri kanë qenë lojtarët kryesorë të Zvicrës këtë kampionat evropian.

Shaqiri kishte asistuar në barazimin e Zvicrës 1-1 ndaj Uellsit, derisa kishte shënuar dy gola ndaj Turqisë për të kaluar Zvicra në 1/8 e finales.

Ndërkohë në 1/8 e finales Granit Xhaka ishte i jashtëzakonshëm ku përveç lojës fantastike në mesfushë kontribuoi edhe me një asistim në eliminimin e Francës.

Tani i gjithë fokusi i zviceranëve është në ndeshjen e sotme, ku pasi eliminuan Francën synojnë të bëjnë një tjetër mrekulli dhe ta eliminojnë edhe Spanjën.