Një sqarim pa ofendime për një gjuhë ofenduese e përçmuese
Shkrimi i djeshëm i z. Enver Robellit lidhur me xhaminë që planifikohet të ndërtohet në qytetin e St. Gallenit, synon të hapë një debat mbi prioritetet e komunitetit shqiptar në Zvicër, por mënyra se si synohet të ndërtohet ky debat e vendos atë mbi një bazë të pasaktë: një kundërvënie artificiale midis xhamisë dhe arsimit e integrimit, sikur këto të ishin dy rrugë që e përjashtojnë njëra-tjetrën. Mes tjerash ai pretendon se “me këto para – pra me 15 milionë franga – do të mund të ndaheshin 1000 bursa nga 15 mijë franga për studentë.”
Këtë që e ka bërë z. Robelli nuk është analizë, por thjeshtim dhe devijim nga realiteti.
Realiteti i komunitetit musliman shqiptar në Zvicër është shumë më i gjerë dhe më kompleks sesa paraqitet. Ky komunitet ndërton xhami dinjitoze me kontributet e veta, por në të njëjtën kohë e përballon barrën e mbajtjes së familjeve si në Zvicër ashtu edhe në vendlindje, duke ruajtur lidhje të gjalla sociale dhe ekonomike me trojet shqiptare. Ai vazhdon t’i mbështesë institucionet arsimore fetare në vendlindje, si medresetë dhe fakultetet islame, duke kontribuar në formimin e brezave të rinj dhe në ruajtjen e një tradite të qëndrueshme arsimore.
Ky komunitet nuk është shfaqur vetëm në kohë paqeje, por edhe në momente vendimtare historike, duke qenë pjesë e angazhimeve për çlirimin e shqiptarëve nga okupatorët e tyre. Në planin social, ai vazhdon t’i mbështesë familjet në nevojë nëpërmjet ndërtimit të shtëpive, financimit të trajtimeve mjekësore jashtë vendit dhe realizimit të projekteve infrastrukturore – sidomos në raste fatkeqësish natyrore, shpesh duke e zëvendësuar mungesën e shtetit. Edhe ndarja e bursave për studentë është një praktikë reale dhe e vazhdueshme, ndonëse jo gjithmonë e ekspozuar në mënyrë mediatike.
Të gjitha këto nuk ndodhin në vakum. Në shumë raste ato organizohen dhe kanalizohen përmes xhamive, të cilat funksionojnë si qendra të mirëfillta komunitare.
Madje, edhe vetë shifrat që përmenden në këto debate – dje, 15 milionë franga – paraqiten në mënyrë të cunguar, ngase nuk e njohin ose nuk duan ta njohin realitetin. Sepse një pjesë shumë e madhe e kësaj vlere nuk është para e gatshme, por kontribut në natyrë. Nga xhamitë që janë ndërtuar deri më tani vlerësohet se rreth dy të tretat e këtyre mjeteve përbëhen nga punë fizike vullnetare dhe shërbime të ofruara nga vetë muslimanët shqiptarë, me anë të firmave dhe bizneseve të tyre në fusha të ndryshme të ndërtimit, instalimeve dhe mirëmbajtjes. Kjo do të thotë se kemi të bëjmë jo vetëm me një investim financiar, por me një mobilizim të gjerë profesional dhe komunitar, ku njerëzit japin kohën, dijen dhe mundin e tyre pa përfitim personal.
Nga ana tjetër, një pjesë e madhe e nxënësve, studentëve, profesionistëve dhe afaristëve shqiptarë në Zvicër kanë kaluar nëpër bankat e mejtebeve dhe kanë ndjekur ligjëratat e hoxhallarëve në xhamitë shqiptare këtu në Zvicër. Këta njerëz sot mbajnë diploma universitare dhe tituj të lartë akademikë, janë të integruar në mënyrë të suksesshme në shoqërinë zvicerane dhe njëkohësisht vazhdojnë t’i mbështesin edhe xhamitë e tyre. Ky fakt i vetëm e rrëzon pretendimin se xhamitë janë pengesë për arsimimin apo integrimin; përkundrazi, ato kanë qenë për shumëkënd një pikënisje formimi dhe disipline.
Një element tjetër thelbësor është besimi i ndërtuar brenda komunitetit. Muslimanët shqiptarë në Zvicër u besojnë imamëve dhe kryesive të xhamive të tyre, dhe ky besim i shtyn ata të kontribuojnë jo vetëm financiarisht, por, siç u tha tanimë, edhe me punë fizike vullnetare, me përkushtim moral dhe me angazhim shpirtëror. Ky është një kapital social i ndërtuar me kohë, i cili nuk mund të zëvendësohet lehtësisht nga iniciativa të jashtme apo abstrakte.
Pretendimi se xhamitë prodhojnë izolim bie ndesh me faktet. Shqiptarët muslimanë janë të pranishëm dhe aktivë në të gjitha fushat e jetës në Zvicër, ndërsa xhamitë kontribuojnë në stabilitetin social, në orientimin e të rinjve dhe në kultivimin e dialogut ndërfetar. Integrimi i vërtetë nuk kërkon zhveshje nga identiteti, por një menaxhim të pjekur të tij.
Për këtë arsye, përdorimi i shprehjes se shqiptarët “luten dhe sorollaten” nëpër xhami nuk është thjesht një lapsus gjuhësor, por një qëndrim përçmues. Kjo gjuhë nuk kritikon, por nënçmon; nuk analizon, por stigmatizon. Ajo përpiqet ta zvogëlojë një realitet të gjallë komunitar në një karikaturë të zbrazët, duke shpërfillur mijëra njerëz që punojnë, kontribuojnë dhe ndërtojnë çdo ditë.
Në këtë pikë, shtrohet pyetja se çfarë kuptohet me arsim në këtë diskurs. Nga mënyra se si argumentohet, krijohet përshtypja se vetëm një formë e arsimit, e shkëputur nga dimensioni fetar, konsiderohet e vlefshme. Por arsimi nuk është një kategori e reduktueshme vetëm në arsim anti- ose afetar; ai e përfshin edhe edukimin moral, kulturor dhe shpirtëror.
Sa i përket idesë fillestare që miliona frangat duhet të shpërndahen në formë bursash – “Zoti do të ndihej më i adhuruar nëse me 15 milionë franga do të përkraheshin për t’u përgatitur si ekonomistë nja 150 të rinj shqiptarë apo më shumë” – mbetet një konstruksion retorik, me elemente tallëse. Kjo e bën të pashmangshme një pyetje: pse vetë kritikët nuk e ndërmarrin një iniciativë të këtillë për t’i mbështetur me bursa studentët “e margjinalizuar”, por këtë e presin gjithnjë prej të tjerëve, kryesisht prej xhamive?
Në fund, problemi nuk është dëshira për më shumë arsim, e cila është legjitime dhe e nevojshme, por mënyra selektive dhe e njëanshme se si lexohet dhe interpretohet realiteti. Ta shpërfillësh një komunitet që ndërton, edukon, ndihmon dhe integrohet, dhe ta reduktosh atë në një stereotip, nuk është kritikë serioze. Është një këndvështrim i njëanshëm që nuk arrin ta kapë kompleksitetin e jetës reale të xhamive dhe rreth xhamive shqiptare në Zvicër.
Komuniteti shqiptar musliman në Zvicër nuk është përballë një zgjedhjeje mes fesë dhe zhvillimit. Ai po përpiqet t’i ndërtojë të dyja paralelisht. Dhe ky është një realitet që meriton të kuptohet e të vlerësohet, e jo të thjeshtohet apo edhe të përçmohet.
Z. Robelli, dyert e xhamive tona janë të hapura edhe për Ju, ejani dhe hidhni një shikim se çfarë bëhet e çfarë s’bëhet brenda dhe rreth tyre? Sepse dinamika e jetës së xhamive tona nuk duket nga tavolina e zyrës Suaj. Ndoshta mësoni diçka të re që nuk e keni ditur, ndoshta ne mësojmë vërtet nga sugjerimet dhe vërejtjet Tuaja të sinqerta. Jemi të hapur!








