Xhemati i Xhamisë së Madhe dhuron gjak

Këshilli i Bashkësisë Islame i Prishtinës, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, ka organizuar aksion për dhurimin vullnetar të Gjakut.

Kryeimami i KBI – Prishtinë, Burhan ef. Hashani, tha se ky aksion që u zhvillua në Xhaminë e Madhe pas namazit të Xhumasë, tashmë është bërë tradicional.

Ai tha se çdo vit në Muajin e Lindjes së profetit Muhamedit a.s. organizojnë aksion të tillë që ka për qëllim të ndihmojë pacientët e shtrirë në QKUK nga sëmundjet e ndryshme.

Drejtues të QKTGJK e vlerësuan këtë aksion pasi thonë se nevojat për gjak mbesin të larta.

Të dy palët u dakorduan që vitin e ardhshëm në Muajin e Lindjes së Muhamedit a.s. të organizohen katër aksione për dhurimin vullnetar të gjakut.

Gjatë këtij aksioni dhuruan gjak 25 xhematlinj që kishin ardhur për të falur namazin e xhumasë në Xhaminë e Madhe.