Yjet e futbollit që lanë Shqipërinë për të ngritur themelet e Kombëtares së Kosovës

Që prej anëtarësimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA në vitin 2016 ka ndryshuar në mënyrë drastike ritmi i futbollistëve kosovarë që luajnë për kombëtaren e Shqipërisë.

Që prej kohës kur Albert Bunjaku ishte trajner i Kosovës, shumë futbollistë kanë vendosur që të largohen nga Shqipëria për të përfaqësuar Kosovën. Indeksonline, ju sjellë në memorie ata që dikur kishin veshur fanellën kuq e zi ndërsa tani kanë barrën kryesore te “Dardanët”.

Pa dyshim, bujën më të madhe nga të gjithë e kishte shkaktuar portieri Samir Ujkani, që për 7 vite kishte luajtur për Shqipërinë, por në vitin 2014 ai ishte ndër të parët që pranoi ftesën e Kosovës. Tani nga të krejt lojtarët, ka më së shumti paraqitje me “Dardanët”, gjithsej 24.

Alban Meha nga viti 2012 deri në 2016 kishte luajtur për Shqipërinë. Në vitin 2016 ai vendosi të përfaqësonte Kosovën, pas pranimit në Uefa dhe Fifa. Por 32 vjeçari zhvilloi vetëm 2 ndeshje me ‘verdhë e kaltërit’.

Vedat Muriqi ishte grumbulluar me Shqipërinë U21, dhe zhvilloi 4 ndeshje në vitet 2013-2014. Por më pas debutoi me Kosovën në vitin 2016 dhe që nga atëherë ka zhvilluar 15 ndeshje duke shënuar 4 gola.

Milot Rashica ishte një ndër futbollistët që krijoi debat në opinion për zgjedhjen që kishte bërë duke lënë Shqipërinë për Kosovën. Ylli i Ëerder Bremenit kishte kaluar pothuajse të gjitha grupmoshat e kuq e zinjëve, por në vitin 2016, pasi trajneri Gianni De Biasi nuk e ftoi në kampionatin evropian ai vendosi të luante për Kosovën.

Loret Sadiku në vitin 2013 ishte grumbulluar nga trajneri Gianni De Biasi për kualifikimet e kampionatit botëror të vitit 2014. Megjithatë ai edhe pse e kishte pranuar ftesën e Shqipërisë nuk luajti asnjë ndeshje. Pikërisht kur Kosova fitoi të drejtën e zhvillimit të ndeshjeve miqësore ndërkombëtare nga FIFA, Sadiku kaloi te “Dardanët”.

Amir Rrahmani i kishte shënuar gol Kosovës me fanellën e Shqipërisë në miqësoren e zhvilluar në vitin 2015. Mbrojtësi i Dinamos së Zagrebit kishte zhvilluar 8 ndeshje me Shqipërinë U21, më pas debutoi edhe në kombëtaren A. Por në vitin 2014, Rrahmani pranoi ftesën e trajnerit Albert Bunjaku dhe tani është një ndër futbollistët kryesor të Kosovës, me të cilën ka luajtur 22 ndeshje.

Fidan Aliti si 20 vjeçar ishte ftuar nga trajneri Gianni De Biasi te Shqipëria. Ai kishte zhvilluar 2 ndeshje me kuq e zinjtë. Në nëntor të vitit 2016, ai pranoi të ndryshonte përfaqësuesen duke zgjedhur Kosovën për tu bërë lojtari i parë nga Presheva që luan me “Dardanët”.

Gjelbrim Taipi kishte zhvilluar 9 ndeshje me Shqipërinë U21. Por në vitin 2018, ai kishte luajtur me Kosovën pikërisht kundër Shqipërisë në miqësoren e zhvilluar në Zvicër. Në çastet e fundit të ndeshjes ishte afër të shënonte gol por qëlloi shtyllën.

Mesfushori Herolind Shala në kohën e De Biasit llogaritej si e ardhmja e Shqipërisë. Shala kishte luajtur për Shqipërinë U21, ndërsa nga viti 2014 deri më 2016 luajti 6 ndeshje me ekipin e parë. Ai ishte kandidat potencial për të qenë në listën e Shqipërisë për Kampionatin Evropian të vitit 2016, por trajneri italian nuk e ftoi. Atë vit Shala zgjodhi të luante përfundimisht për Kosovën.

Besart Berisha nga viti 2006 deri më 2009 kishte zhvilluar 17 ndeshje me Shqipërinë. Ai më pas ishte ftuar disa herë që të përfaqësonte kuq e zinjtë, por për shkak se ishte larguar në Australi nuk deshi të udhëtonte. Ndërsa në vitin 2017 ai e pranoi Kosovën dhe luajti vetëm një ndeshje kundër Islandës në Shkodër.