Autoritetet siriane kanë zbuluar një varr masiv të ri që përmban mbetje njerëzore në kryeqytetin sirian Damask, të cilat besohet se u përkasin viktimave të masakrave të kryera nga regjimi i mëparshëm i Bashar al-Assadit në lagjen Tadamon, transmeton Anadolu.
Televizioni sirian Alikhbaria raportoi se mbetje njerëzore u gjetën në një varr masiv pranë rrugës Daaboul në zonën Tadamon të Damaskut.
Sipas dëshmive të banorëve lokal, të cituara nga kanali, varri është pjesë e një rrjeti më të gjerë vendesh varrimi masiv, ku viktimat e masakrave të kryera nga forcat besnike ndaj regjimit të mëparshëm janë varrosur fshehurazi në këtë lagje.
Transmetuesi tha se ekipet e Mbrojtjes Civile Siriane po punojnë për lokalizimin dhe identifikimin e mbetjeve, ndërsa forcat e sigurisë së brendshme kanë vendosur një perimetër sigurie rreth zonës për të garantuar sigurinë publike dhe për të lehtësuar operacionet forenzike.
Që nga rënia e regjimit të Assadit në Siri, autoritetet kanë zbuluar disa varre masive gjatë operacioneve të kërkimit dhe inspektimit në mbarë vendin, duke hedhur më shumë dritë mbi përmasat e shkeljeve dhe mizorive të kryera nën regjimin e mëparshëm.
Këto zbulime kanë ringjallur thirrjet për llogaridhënie dhe dokumentimin e krimeve të kryera gjatë viteve të konfliktit, ndërsa përpjekjet vazhdojnë për të përcaktuar fatin e mijëra civilëve të zhdukur.
Assadi, i cili drejtoi Sirinë për gati 25 vjet, u arratis në Rusi në dhjetor të vitit 2024, duke i dhënë fund regjimit të Partisë Baath, e cila ka qenë në pushtet që nga viti 1963. Një administratë e re kalimtare, e udhëhequr nga presidenti Ahmed al-Sharaa, u formua në janar të vitit 2025.



