Zelensky: Ne nuk jemi një shtet i dobët, Ukraina mund ta bëjë NATO-n shumë më të fortë

Si një anëtare me të drejta të plota, Ukraina mund ta bëjë Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) shumë më të forte, deklaroi sot presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky gjatë një interviste për “Fox News”.

“Është e vështirë për ne të flasim për NATO-n, sepse NATO nuk dëshiron të na pranojë. Mendoj se është një gabim, sepse nëse i bashkohemi NATO-s, ne e bëjmë NATO-n shumë më të fortë. Ne nuk jemi një shtet i dobët. Ne nuk po propozojmë të forcohemi në kurriz të NATO-s… Ne jemi një shtesë, ne jemi lokomotiva. Mendoj se jemi një nga komponentët e rëndësishëm të kontinentit evropian”, tha Zelensky.

Sipas Zelensky, Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë propozimin e Kievit për t’u përfshirë në një marrëveshje sigurie që do të ofronte mbështetje afatgjate për Ukrainën.

Sipas presidentit të Ukrainës, Putini do të vazhdojë agresionin e tij në Evropë përtej Ukrainës dhe do të marrë atë që dëshiron “nëse nuk ndalohet” tani.

“Rusët duan gjithçka që mund të ofrojë Perëndimi, dhe “oreksi vjen duke ngrënë”, tha ai.

“Të gjithë duhet ta dinë se nëse ne shtypemi, ushtria ukrainase do të përgjigjet me fuqi të plotë”, theksoi Zelensky. /atsh