Volodymyr Zelensky ka deklaruar se “takimi i parë trepalësh” mes Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara pritet të mbahet nesër, duke shënuar një zhvillim të rëndësishëm diplomatik në përpjekjet për dialog lidhur me luftën në Ukrainë.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos, presidenti ukrainas tha se, sipas informacioneve që ai ka në dispozicion, takimi i parë mes tre palëve do të zhvillohet nesër dhe do të vazhdojë edhe ditën pasuese.
Ai theksoi se ky format trepalësh përfaqëson një hap të ri në komunikimin ndërkombëtar lidhur me konfliktin, megjithëse ende nuk janë bërë publike detaje konkrete mbi agjendën e bisedimeve.
Sipas Zelenskyt, takimi do të mbahet në Emiratet e Bashkuara Arabe. Megjithatë, ai la të kuptohet se iniciativa për këtë takim ka ardhur papritur nga Uashingtoni dhe se pala ukrainase nuk ka qenë plotësisht e përfshirë paraprakisht në përgatitjen e tij.
“Shpresoj që Emiratet ta dinë për këtë. Po. Ndonjëherë kemi surpriza të tilla nga pala jonë amerikane”, tha me një ton ironik, lideri ukrainas duke sugjeruar se koordinimi diplomatik nuk ka qenë i plotë.
Ndryshe, një takim i drejtpërdrejtë trepalësh mes Ukrainës, Rusisë dhe SHBA-së do të përbënte një moment të rrallë dhe potencialisht vendimtar në përpjekjet për të ulur tensionet dhe për të eksploruar mundësi për zgjidhje politike të konfliktit që ka tronditur Evropën dhe rendin ndërkombëtar.



