Zelenskyy: Nuk do t’i harrojmë viktimat e gjenocidit të popullit tatar të Krimesë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy deklaroi se nuk do t’i harrojë kurrë viktimat e gjenocidit të popullit tatar të Krimesë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zelenskyy në llogarinë e tij në Telegram kujtoi 78-vjetorin e dëbimit të turqve tatarë të Krimesë në Azinë Qendrore me vagonë treni në kushte çnjerëzore, duke u shkëputur nga atdheu i tyre brenda natës, me vendim të udhëheqësit të Bashkimit Sovjetik, Josef Stalin.

Duke theksuar se vrasësit që më 18 maj 1944 dëbuan turqit tatarë të Krimesë nga vendlindja e tyre, me vendim të Stalinit, menduan se ato familje nuk do të mund të kthehen në Krime, Zelenskyy tha se lufta për pavarësi vazhdon edhe sot në Ukrainë.

“Xhelatët aktualë të popullit, të cilët tani po përpiqen të pushtojnë Ukrainën dhe të na shkatërrojnë jetën, gjithashtu besuan se ata do t’ia dilnin dhe ne nuk do të mbijetonim. Por, ne mbijetuam dhe po bëjmë përpjekje për t’u kthyer në çdo cep të shtëpisë sonë dhe do të kthehemi. Nuk do të harrojmë kurrë asnjë nga viktimat e gjenocidit të popullit tatar të Krimesë”, tha Zelenskyy.

– “Fatkeqësi që shkatërroi njerëzit”

Në deklaratën e tij, kryetari i Parlamentit të Ukrainës, Ruslan Stefanchuk tha se ngjarjet në Krime në vitin 1944 ishin “një fatkeqësi që shkatërroi njerëzit”.

Duke thënë se ata përkujtojnë viktimat e tragjedisë së popullit tatar të Krimesë, Stefanchuk nënvizoi se Krimea është pjesë e pandashme e Ukrainës.

“Ishte sikur kishte kaluar një kohë e gjatë dhe të gjitha fatkeqësitë kishin përfunduar. Megjithatë, pas pushtimit të Krimesë, Rusia filloi përsëri të persekutonte tatarët e Krimesë. Pra, përsëri një valixhe, një tjetër stacion treni, një tjetër biletë drejt pasigurisë. Të gjitha për shkak të Kremlinit”, tha Stefanchuk. /aa