Zelenskyy para parlamentit britanik: Nuk do të dorëzohemi

Ai po ashtu shprehu zhgënjimin me NATO-n, veçanërisht për refuzimin e saj për të zbatuar një zonë të ndaluar fluturimi mbi Ukrainë, duke theksuar se ai ndjen se aleanca “nuk funksionon siç duhet”

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, në një fjalim përmes video-lidhjes në parlamentin britanik është zotuar se “nuk do të dorëzohen” dhe “nuk do të humbasin”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Për herë të parë në histori që një lider u adresua drejtpërdrejt para anëtarëve të parlamentit brenda dhomës, Zelensky u shfaq përmes një video-lidhjes nga Ukraina.

Ligjvënësit, të cilët dëgjuan përkthimin e fjalimit të presidentit ukrainas përmes kufjeve, e duartrokitën atë përpara se të fillonte.

“Ditën e parë në orën 4 të mëngjesit, ne u sulmuam nga raketa lundrimi. Të gjithë u zgjuan, njerëzit, fëmijët, e gjithë Ukraina dhe që atëherë ne nuk kemi fjetur. Të gjithë kemi luftuar për vendin tonë”, tha Zelenskyy.

Zelenskyy tha se Ukraina “vazhdoi luftimet” edhe pasi Rusia kërkoi që ata të lënë armët, pavarësisht granatimeve në të gjithë vendin që, siç tha ai, “nuk na thyen”.

Ai po ashtu shprehu zhgënjimin me NATO-n, veçanërisht për refuzimin e saj për të zbatuar një zonë të ndaluar fluturimi mbi Ukrainë, duke theksuar se ai ndjen se aleanca “nuk funksionon siç duhet”.

Duke iu referuar ofensivës së Rusisë në Mariupol, Zelenskyy tha se “ata nuk lejojnë ndonjë ushqim, ndonjë ujë dhe njerëzit ka filluar t’i kap paniku”.

Zelenskyy theksoi se deri më tani mbi 50 fëmijë janë vrarë në luftë, duke u shprehur se, “Këta janë fëmijë që mund të jetonin, por këta njerëz i kanë marrë ata nga ne”.

Duke theksuar se Ukraina u përball me çështjen “të ekzistosh ose të mos ekzistosh”, ai tha se sot “mund t’ju jap përgjigje përfundimtare, është po, të ekzistosh”.

Duke iu referuar një fjalimi të famshëm të ish-kryeministrit britanik, Winston Churchill, Zelenskyy tha se, “Unë do të doja t’ju kujtoja fjalët që Mbretëria e Bashkuar i ka dëgjuar tashmë, të cilat përsëri janë të rëndësishme. Ne nuk do të dorëzohemi dhe nuk do të humbasim. Do të luftojmë deri në fund, në det dhe në ajër, do të vazhdojmë të luftojmë për tokën tonë, pavarësisht kostos. Ne do të luftojmë në pyje, në fusha, në brigje, në rrugë”.

Presidenti ukrainas përfundoi fjalimin duke falënderuar kryeministrin britanik, Boris Johnson, për ndihmën e tij, si dhe i kërkoi atij të rrisë presionin ndaj Rusisë dhe ta njohë atë si një “shtet terrorist”.

Kryeministri Johnson dhe liderët e partive opozitare pas fjalimit të presidentit Zelenskyy folën shkurtimisht për mediat.

“Asnjëherë më parë, në të gjitha shekujt tanë të demokracisë sonë parlamentare, Dhoma nuk ka dëgjuar një fjalim të tillë”, tha Johnson.

Ai theksoi se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të furnizojë Ukrainën me armë dhe të “shtrëngojë shtypjen ekonomike rreth Vladimir Putin-it”.

“Ne do të përdorim çdo metodë që mundemi, diplomatike, humanitare dhe ekonomike, derisa Vladimir Putin të dështojë në këtë projekt katastrofik dhe Ukraina të jetë e lirë edhe një herë”, tha Johnson.

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës ka tërhequr sanksione financiare ndaj Moskës dhe ka nxitur një eksod të kompanive globale nga Rusia.

Perëndimi po ashtu ka vendosur kufizime të ashpra të eksportit për teknologjitë kryesore që tani janë të ndaluara të dërgohen në Rusi.

Sipas shifrave të Kombeve të Bashkuara (OKB), që nga fillimi i luftës në Ukrainë të paktën 406 civilë kanë humbur jetën dhe rreth 800 të tjerë. /aa