Zelli për Izraelin

Rilind Dauti

Disa nga arsyetimet më të shpeshta të përmendura nga ndonjë analist shqiptar janë ato për teknologjinë dhe industrinë e armatimeve, që është e vërtetë se Izraeli i ka të zhvilluara mirë. Por, a thua vetëm Izraeli i posedon këto apo të tjerët i posedojnë, por nuk na i shesin, dhe shansi i fundit na ka mbetur vetëm që të bëhemi lypsarë te Izraeli, duke shkelur edhe mbi dinjitetin tonë si shqiptarë edhe mbi çdo sens drejtësie?

Rilind DAUTI, Shkup

Në absurdin e papërsëritshëm global, që ishte situata me pandeminë e Kovidit, një nga pamjet më befasuese që më kanë mbetur në kujtesë ishin pamjet e lajmit se si (përderisa shtetet tjera ende s’po mund të furnizohen as me dozën e parë) Izraeli tashmë po ua jep qytetarëve dozën e katërt. Bashkëngjitur me lajmin ishin pamjet e marrjes së vaksinës nga kryeministri i atëhershëm Naftali Benet (që disi arrin të jetë edhe më ekstremist se Netanjahu), ndërsa një infermiere që sillej aty pari për administrim të vaksinës për pacientët e tjerë, ishte një grua me shami, e cila nuk linte dyshim se bëhet fjalë për murgeshë katolike apo hebreje nga ndonjë drejtim më konservator, por ishte e qartë se ajo infermiere e punësuar në një spital në Izrael, ishte grua muslimane me mbulesë islame! Kjo pamje befasuese nga Izraeli ma kujtoi një rast në Maqedoninë e Veriut, ku edhe në mungesë ekstreme të personelit mjekësor, drejtori maqedonas i një klinike publike ka refuzuar ta punësojë një mjeke specialiste vetëm pse mban shami.

Arabishtja në Izrael më e avancuar se shqipja në RMV!

Për të ardhur çudi, ky nuk është rasti i vetëm ku Izraeli rezulton të jetë në një shkallë më të lartë morali sesa Maqedonia e Veriut. Një çështje tjetër, që po ashtu e kam kapur nga aspekti krahasues, është përvoja me shumëgjuhësinë zyrtare në shtetet e ndryshme dhe pozita e arabishtes në Izrael (që flitet në përqindje më të vogël se shqipja në RMV), që në më shumë aspekte rezulton më mirë se gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut! Së pari, sado që nga 2018 e këndej Ligji Bazik i Izraelit e ka ulur statusin zyrtar të arabishtes, prapëseprapë e njeh atë me emër, në vend të lojës kukafshehtas me përqindjen që e bën kushtetuta e RMV. Por, më shumë se në njohjen zyrtare, është zbatimi në praktikë, sepse arabishtja shënon nëpër tabela rrugore gjithkund nëpër territorin e Izraelit, ndërsa në M. e Veriut gjuha që e flasin minimum 20% e popullsisë shkruhet vetëm në zonat ku jeton ajo popullsi (si gjuhë rajonale). Po ashtu, nëpër tabelat rrugore në Izrael arabishtja shënon menjëherë prapa hebraishtes dhe para anglishtes, ndërsa në ato në Maqedoninë e V. shqipja zakonisht qëndron prapa anglishtes, duke e konfirmuar edhe më tej statusin e nënshtruar të gjuhës shqipe. Po ashtu, në kartat e identitetit në Izrael, arabishtja figuron në kartat që u jepen të gjithë qytetarëve, jo vetëm atyre me etni arabe, ndërsa në RMV letërnjoftimet në shqip u lëshohen vetëm qytetarëve me etni shqiptare, si e drejtë minoritare.

Ndonëse jo tërësisht e barabartë si dy rastet e mësipërme të përdorimit, është edhe prania e arabishtes në veturat policore gjithkund në territorin e Izraelit, ndonëse me shkronja më të vogla dhe më pak se hebraishtja dhe anglishtja, që përsëritet disa herë në të njëjtën veturë. Ndërsa në RMV është e pakapërdishme që shqipja të figurojë në veturat e policisë që përfaqëson dhe zbaton dhunën legale shtetërore, e – larg qoftë – që në atë organ të shënojë gjuha e minimum ¼ së qytetarëve. Që në vetura policore shënon emri “Severna” )e Veriut), i imponuar nga Greqia fqinje, këtë e kemi gëlltitur, ama shqipen assesi! Një tjetër vend ku është paraqitur ky emër janë monedhat dhe banknotat e denarëve, ku po ashtu ka kokëfortësi mushke kundër gjuhës shqipe, por në monedhat dhe bankëotat e shekelit izraelit, ndonëse jo tërësisht barabar me hebraishten, prapëseprapë figuron arabishtja!

Dhe, për fund, jo qëndrim dhe politikë që Izraeli ka shprehur vullnet që ta zbatojë, por që e ka shprehur zyrtari më i lartë i Izraelit, është qëndrimi i presidentit të atëhershëm, Reuven Rivlin, që himni i Izraelit dhe simbolet e tjera duhet të ndryshojnë që të jenë më gjithëpërfshirëse për komunitetin arab në Izrael. Ndërkaq në Maqedoninë e Veriut, edhe politikanët maqedonas dhe anëtarët e shoqërisë civile që janë më progresivë e mirëkuptues ndaj shqiptarëve, nuk e shprehin as konsideratën më të vogël ndaj ankesës së shqiptarëve se simbolet nuk i përfaqësojnë një pjesë të madhe të qytetarëve.

E errëta: ana më e njohur e Izraelit

Megjithatë, këto aspekte, ku arabët ose arabishtja respektohen më mirë se gjuha shqipe në RMV, dhe aspektet tjera pozitive që mund t’i ketë, kjo nuk do të thotë se arabët në Izrael i kanë punët ideale. Përpos vetë faktit që Shteti i Izraelit u ngrit si projekt kolonial mbi tokën e tyre, ku hebrenj të ardhur nga e gjithë bota kanë status më të lartë se arabët vendas, ka më shumë mënyra praktike se si ata diskriminohen. Një prej tyre, që kritikohet nga disa qarqe ndërkombëtare, ndërsa dëshirojnë ta kopjojnë disa qarqe të tjera, është diskriminimi i paturp (racial profiling) i arabëve gjatë kontrolleve të sigurisë në aeroportin Ben-Gurion.

Por, aspektet negative në pjesën e Shtetit të Izraelit të njohur nga OKB-ja nuk janë temë aq e nxehtë e diskutimit (sado që gjithmonë do të mbetet njolla e krijimit kolonialist me vendosjen e ardhacakëve hebrenj në tokën ku palestinezët kanë jetuar mbi dy mileniume), ndërsa aspektet pozitive të Izraelit në trajtimin e arabëve të mbetur në territorin e njohur nga OKB-ja si Izrael, nuk mjaftojnë aspak për ta mbuluar turpin e bëmave izraelite në territoret e okupuara palestineze, në pjesët e vetësunduara, por nën bllokadë strikte, në pjesët ku janë të a.q. “autoritetet palestineze”, që intelektuali i madh Edward Said qysh më 1993 e pat parashikuar që do të shndërrohen thjesht në kolaboracionistë, në Libanin fqinj ku ka gjetur pyll pa pylltar, në shtetet e tjera arabe me atentatet e targetuara të shkencëtarëve e, mbi të gjitha, asgjë nuk e lanë turpin e Izraelit në territoret palestineze, ku okupimi, edhe ashtu shtypës, kalon në luftë të plotë, skajshmërish gjakësore, të mbushur me vrasje të dhjetëra mijë civilëve dhe shkaktim sadist të vuajtjeve ndaj miliona të tjerëve.

Gjithsesi, ka edhe shumë shtete tjera që bëjnë padrejtësi, shtypje e diskriminim të një pjese të shtetasve të vet dhe që bëjnë agresion në territoret e shteteve tjera ku po ashtu shkaktohet vuajtje e madhe njerëzore, por, për momentin, nuk ka asnjë shtet tjetër që për nga sasia dhe ashpërsia vepron kështu më shumë sesa që bën Izraeli në Palestinë, e që të kalojë pa asnjë pasojë dhe që të gëzojë aq shumë mbështetje në qytetërimin perëndimor, që i pari i kodifikoi të drejtat e njeriut dhe një grumbull dokumentesh të tjera ndërkombëtare, që Izraeli i shkel me kapadaillëk.

Kjo është arsyeja përse nuk mban asnjë përpjekje për whataboutism me insinuatë për antisemitizëm, duke thënë se “gjëra të tilla bëjnë edhe shtetet e tjera, e përse ti flet vetëm kundër Izraelit?”. Por në qytetërimin perëndimor, që është i gatshëm t’i përkeqësojë marrëdhëniet me tërë botën islame duke e mbrojtur të drejtën e një grushti idiotësh që ta djegin Kur’anin e të bëjnë karikatura të profetit Muhamed, sepse kjo qenka pjesë e lirisë së shprehjes, këtë të drejtë dëshiron t’ua mohojë qytetarëve të vet që bëjnë thirrje për bojkot dhe sanksione kundër Izraelit. Prandaj, nëse ka ndonjë standard të dyfishtë, nuk është ai që pse muslimanët ankohen aq shumë për Izraelin se çfarë iu bën palestinezëve, e nuk ankohen çfarë u bën Kina ujgurëve? (Që nuk është e vërtetë se nuk ankohen.) Apo, shembulli i preferuar i disa qarqeve në trojet shqiptare, pse flet kundër Izraelit se çfarë u bën palestinezëve e nuk flet kundër Turqisë për relacionin me kurdët? Por, hipokrizia e vërtetë është të thirresh në të drejtën ndërkombëtare, vlerat humaniste etj., dhe njëkohësisht t’i japësh mbështetje aq të zellshme një shteti që në mënyrë rutinore bën shkelje aq të rënda të tyre.

Pas vetë krijimit kolonialist, me zhvendosjen masive të popullsisë vendase, ndjeshmërisë për vendet e shenjta, sasisë dhe ashpërsisë së shkeljeve, është pikërisht kjo pandëshkueshmëri e Izraelit dhe mbështetja e parezervë në Perëndim ajo që e ushqen këtë solidaritet më specifik të muslimanëve për Palestinën.

Dhe, duke e marrë konflikti dhe solidariteti këtë dimension fetar, në disa shtete europiane ekziston simpatia për Izraelin pikërisht për shkak të kësaj urrejtje që ekziston ndaj muslimanëve, duke e kombinuar me admirim: shihe sa mirë, një Izrael me 5 milion hebrenj, ja se çfarë u bën muslimanëve; 300 milion arabë s’mund të bëjnë asgjë për këtë.

Por, sa për shtypje të muslimanëve, shumë më shumë se Izraeli në territorin e njohur nga OKB-ja, këtë e bëjnë shtetet si Sri Lanka, Mianmari e India, me ligje diskriminuese, fjalor nxitës nga murgjit budistë dhe hindusë, pogrome, dëbime e masakra dhe prapëseprapë këto shtete nuk gëzojnë ndonjë simpati tek qarqet antimuslimane të Europës. Ndërkaq ajo që është edhe më relevante, me këto shtete aziatike nuk ka përpjekje për zhvillim të marrëdhënieve ndërshtetërore bazuar tek “kërcënimi” i përbashkët “islamik”, ndërsa me Izraelin i japin zor maksimal që të zhvillojnë sa më shumë kontakte diplomatike.

Si shpjegohet kjo? Sepse për shtetet e lartpërmendura aziatike askujt s’i bëhet vonë, ndërsa Izraeli gëzon respekt të madh në shtetet që kanë fuqi e ndikim, në veçanti tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku Izraeli gëzon nderim, respekt, mbrojtje dhe pozitë maksimalisht të lartë. Kështu, për disa shtete, zhvillimi i marrëdhënieve të mira me Izraelin, përfshirë dhe bazuar te sentimenti i përbashkët antimusliman, shihet si mënyrë për përmirësim edhe të pozitës së këtyre shteteve të tjera tek faktorët në SHBA, qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë, kur p.sh. presidenti ose ndonjë kongresmen amerikan vetë e çmon lart faktin se ndonjë shtet i shpërfillshëm paska votuar kundër Palestinës në OKB, ka lëshuar deklaratë të fuqishme pro-Izraelit etj. ose qoftë në mënyrë indirekte përmes bashkëpunimit me lobin hebraiko-amerikan.

Shqiptarët dhe obsesioni me izraelin

Është pikërisht ky motivi përse edhe Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës i japin aq zor për marrëdhënie me Izraelin. Por, tek ata është edhe një faktor shtesë: kompleksi i të qenit muslimanë. Për shkak se Shteti i Izraelit është aq i padëshiruar tek muslimanët në të gjithë botën, ata duke zhvilluar kontakte me zyrtarë e përfaqësues të tjerë izraelitë me sa më shumë publicitet, ashtu që të kapen për shpërndarje nga sa më shumë media të huaja, dëshirojnë të përçojnë mesazh tek disa qarqe perëndimore se “ne jemi muslimanë, ama nuk jemi si ata muslimanët tjerë…”.

Kosova, që e ka hallin që nuk është anëtare e OKB-së, si garanci e subjektivitetit ndërkombëtar, për të ishte imperativ maksimal që ta fitojë njohjen nga Izraeli si legjitimim i ekzistencës së saj përballë qarqeve të caktuara që lirinë dhe shtetësinë mund t’ua kontestojnë me faktin që Kosova përbëhet në shumicë të madhe nga muslimane.

Përderisa mosnjohjen nga autoritetet e vjetruara dhe të korruptuara palestineze, të dezorientuara në kohë dhe hapësirë, qarqet intelektuale kosovare e merrnin dhe vazhdojnë ta marrin si argument kundër shqiptarëve që solidarizohen me Palestinën, atyre nuk u pengonte mosnjohja nga Izraeli që t’i dalin në mbrojtje kur kritikohet për tmerret që i bën. Pastaj, kur erdhi njohja e Kosovës nga Izraeli me imponimin e njohjes së Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit, ndodhi një situatë absurdi, që nuk do të mund ta shpikte as fantazia më pjellore e ndonjë shkrimtari që shpik realitete alternative, kur ky veprim i Kosovës muslimane u kundërshtua nga Europa e krishterë, sepse është devijim nga qëndrimi i politikës së përbashkët të jashtme të Bashkimit Europian, që nuk e njeh pretendimin e Izraelit mbi Jerusalemin!

Ky nuk është rasti i vetëm që me Izraelin shqiptarët tregohen “më katolikë se Papa”, edhe atë me plotkuptimin e fjalës! Sepse, vetë Papa i Vatikanit është deklaruar ashpër për mizoritë e Izraelit në Palestinë. Pastaj, është qëndrimi tepër pro-Palestinë dhe kritik ndaj Izraelit, që e shpreh shteti më katolik në Europën Perëndimore – Republika e Irlandës, dhe, në masë të madhe, edhe qeveria e monarkisë katolike të Spanjës, e mos t’i përmendim një nga një shtetet katolike të Amerikës Latine, ku kahera ka pasur solidarizim të fortë me Palestinën, kjo e bazuar te antiimperializmi dhe vëllazëria socialiste ndërkombëtare. Por, sot solidariteti global me vuajtjet e palestinezëve nuk motivohet aq nga ndonjë ideologji politike, por është roli i shpërndarjes masive përmes internetit të monstruoziteteve që bën Izraeli. Dhe, ky solidarizim me Palestinën, te shqiptarët muslimanë, nuk është më vetëm nga bashkëdhembja që besimtarët praktikantë e kanë për atë pjesë të Ummetit, por vazhdimisht e më shumë vjen nga motivi thjesht i empatisë njerëzore nga shqiptarë që janë muslimanë vetëm në emër, për të cilët feja nuk luan ndonjë rol në jetën e përditshme ose që madje e kundërshtojnë ndikimin shoqëror të ndonjë aspekti të fesë islame.

Gjithkund nëpër botë, tek njerëzit, pa dallim feje, etnie, dhe shtrese shoqërore, është krijuar një solidarizim i hatashëm në mbështetje të popullit palestinez, që ekziston gjithmonë, e në veçanti shfaqet kur okupimi i vrazhdë izraelit kalon në luftë të plotë. Madje, qëndrime kundër politikave të Izraelit ndaj palestinezëve shprehin edhe shumë hebrenj. Nga ana tjetër, te shumë segmente të shqiptarëve ekziston një drojë që ta thonë edhe kritikën më të vogël kundër bëmave gjenocidale të Izraelit. Përkundrazi, shumë nga fella intelektuale e Tiranës dhe Prishtinës i dalin në mbrojtje Izraelit ose i kundërshtojnë shqiptarët që solidarizohen me palestinezët, kjo për shkak të ndonjë arsye banale, si rasti diskutabil, që e kanë përmendur tabloidet serbe me Jaser Arafatin dhe ftesën për Millosheviqin për ta festuar Krishtlindjen ortodokse. Që edhe po të ketë ndodhur, kjo nuk duket të ketë qenë ftesë speciale vetëm për Millosheviqin, por që ua ka dërguar të gjithë krerëve të shteteve ortodokse. Dhe, në fund të fundit, edhe po të ketë ndodhur, çfarë lidhje ka një budallallëk që ka ndodhur një çerekshekulli më parë, me shprehjen e solidarizimit për vrasjen e foshnjave dhe të tjerëve që s’kanë asnjë lidhje me atë ftesë famëkeqe, që Arafati ia paska dërguar Millosheviqit? Sa i përket arsyetimit me atë që Palestina nuk e njeh Kosovën, përse këtë argument nuk e përdorin edhe për solidarizimin me Ukrainën që gjithashtu nuk e njeh Kosovën?! Por, kjo qasje nënshtruese me posterin gjigand në mes të Prishtinës “Free Ukraine” dhe servilizmat tjera, jo se iu shpërblye Kosovës me diçka konkrete, por – përkundrazi – ajo është nën sanksione nga BE-ja, por së paku ky solidarizim joparimor me Ukrainën u shënua dhe u notua pozitivisht në raportin e e progresit të Komisionit Europian, gjë që ndoshta në të ardhmen kontribuon në ndonjë dobi konkrete për Kosovën. Mirëpo, çfarë të mire i solli Kosovës flirtimi me Izraelin? U tha se njohja nga Izraeli do t’i bindë për njohje edhe 5 shtetet mosnjohëse brenda BE-së, gjë që nuk ndodhi. Sa i përket lobit dhe faktorit politik hebre në SHBA, përgjithmonë do të meritojë respekt dhe mirënjohje mbështetja e kongresmenëve dhe zyrtarëve tjerë hebraiko-amerikanë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Por, nga vardisja e tashme ndaj Izraelit nuk po shihet ndonjë dobi përmes lobit hebre në SHBA (që pa dyshim është edhe faji i mosveprimit të lobit shqiptar): nga njohja e ndërsjellë me Serbinë, qëndrimi i SHBA-së zbriti në njëfarë normalizimi impotent; ambasadori në Prishtinë dhe zyrtarët e tjerë amerikanë e kritikojnë dhe dënojnë Kosovën (si përjashtimi nga “Defender Europe”) për veprimet legjitime dhe të drejta që i ndërmerr për shtrirje të ligjit në tërë territorin e saj, ndërsa njëkohësisht shumë zyrtarë amerikanë e marrin Serbinë me të mirë.

Si gjithmonë, Rama më ndryshe nga të gjithë

Gjatë këtyre viteve të luftës së mbushur me plot krime izraelite, që kanë pasur mbulim të madh medial perëndimor, në raportin e turpshëm dhe antinjerëzor të shprehur ndër shqiptarë, më shumë bujë mediale kanë bërë disa lëvizje e deklarata të Edi Ramës. Përderisa, siç thamë, vetë Vatikani dhe shumë shtete tjera katolike kanë shprehur solidarizim me Palestinën dhe indinjatë me Izraelin, katoliku i kompleksuar me faktin se shqiptarët në shumicë janë muslimanë, këtë situatë e shfrytëzoi për vardisje ndaj Izraelit që është maksimalisht patetike dhe fyese ndaj dinjitetit të Shqipërisë dhe shqiptarëve, duke i vendosur në shërbim edhe çallmat pa kokë dhe xhybet pa kurriz të Komunitetit Musliman të Shqipërisë që nuk përfaqëson qëndrimet e shqiptarëve muslimanë të Republikës së Shqipërisë.

Ajo që shfrytëzohet shpesh dhe përmendet edhe në kontekstin e luftës aktuale, është përmendja e përsëritur e shpëtimit të hebrenjve nga shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në çdo rrethanë, përsëritja e saj si pjesë e përpjekjeve të diplomacisë së RSH&RKS për t’iu afruar Izraelit dhe nga mërgata shqiptaro-amerikane për t’i forcuar lidhjet me lobin hebre në SHBA, vetëm ia ul vlerën aktit human, ndërsa përmendja e saj në kontekst të luftës aktuale plot mizori nga ana e Izraelit përçon edhe një nëntekst kundër muslimanëve joshqiptarë në përpjekjen që ta zbusin kompleksin që shqiptarët me shumicë janë muslimanë. Domethënë, përderisa arabët po luftojnë kundër Izraelit nga urrejtja e natyrshme për hebrenjtë, po ua përkujtojmë edhe njëherë (se mos ndoshta s’e kemi thënë sa duhet) se gjatë LDB-së, shqiptarët muslimanë të indiferencës fetare, të harmonisë ndërfetare dhe të doktrinës së besës dhe të parimit se “shtëpia është e Zotit dhe e mikut”, i kanë shpëtuar hebrenjtë. Por, çfarë mesazhi përçon me lëvdatën për shpëtimin e hebrenjve shumë kohë më parë dhe refuzimin kategorik që sot të pranosh refugjatë palestinezë?! Që hebrenjtë e qytetëruar nga Europa Qendrore dhe Lindore e kanë merituar, ndërsa këta “arabët e egër” nuk janë të denjë për strehim në Shqipëri?

Një tjetër rast ku Edi Rama, jo në mënyrë të tërthortë, por të drejtpërdrejtë bëri diskriminim të rëndë ishte në panairin ITB Berlin, ku u përpoq t’i tërheqë turistët izraelitë, që mos të shkojnë më në Greqi, por të vijnë në Shqipëri. Fillimisht, prapë e përmendi çështjen e shpëtimit të hebrenjve gjatë LDB-së, duke bërë paralele groteske me strehimin në kushte të rënda lufte e persekutimi, me turizmin që është çështje qejfi e luksi. Dhe, në fund, tha “presim me padurim sa më shumë hebrenj në Shqipëri”, duke bërë kështu diskriminim të hapur kundër shtetasve të Izraelit që janë arabë, muslimanë, të krishterë, druzë, çerkezë, etj.

Një tjetër rast ku pa nevojë “ka hyrë llugave” në diçka që nuk është punë e tij, është komentimi i ashpër kundër Hamasit, me të cilën Izraeli e arsyeton vrasjen e foshnjave, pacientëve, mjekëve, gazetarëve… Pa dyshim se Hamasi meriton shumë kritika për shumëçka dhe shumë palestinezë vetë e kritikojnë qasjen e tyre, por ç’iu ka dashur të bëjë paralele të paqenë me nazistët, kur bëmat e Izraelit me përdorimin joproporcional të forcës shkaktojnë dhjetëra fish më shumë viktima në civilë se sulmet terroriste të dëshpëruara të Hamasit?

Sa u përket përfitimeve, disa nga arsyetimet më të shpeshta të përmendura nga ndonjë analist shqiptar janë ato për teknologjinë dhe industrinë e armatimeve, që është e vërtetë se Izraeli i ka të zhvilluara mirë. Por, a thua vetëm Izraeli i posedon këto apo të tjerët i posedojnë, por nuk na i shesin dhe shansi i fundit na ka mbetur vetëm që të bëhemi lypsarë te Izraeli, duke shkelur edhe mbi dinjitetin tonë si shqiptarë edhe mbi çdo sens drejtësie?

Asnjë evokim i pahijshëm me shpëtimin e hebrenjve nga shqiptarët në ngjarjen e largët të LDB-së nuk ka pasur ndonjë efekt mbi tërheqjen e izraelitëve në Shqipëri. Prapëseprapë, ata shumë më shumë i vizitojnë vendet e tjera ku ka më shumë muslimanë ose ku madje Islami është fe zyrtare. Kështu, turistët izraelitë e kanë destinacion shumë të shpeshtë Egjiptin, ku mund të mahniten me piramidat gjigande dhe kryeveprat tjera nga lashtësia, në vend se të vijnë në Shqipëri, ku pellazgët s’kanë lënë asnjë gjurmë, ndërsa ilirët nuk kanë lënë kushedi sa shumë për t’u parë. Turistët izraelitë shkojnë për verime në Turqi, sepse “anadollakët e prapambetur” u mundësojnë pushime shumë më të mira se shqiptarët e “civilizimit të lashtë” dhe që krenohen se shtëpia (rrjedhimisht dhe hoteli?) i takon “Zotit dhe mikut”. Vizitorët izraelitë shkojnë i shohin rrokaqiejt e Dubait, ku midis shkretëtirës i kanë të gjitha kushtet, sesa të vijnë në kryeqytetin europian të Tiranës ku ende s’ka ujësjellës 24 orë. Sa u përket autoriteteve shtetërore izraelite, shumë më shumë se zhvillimit të marrëdhënieve me shqiptarët europianë dhe muslimanët indiferentë dhe tolerantë, ata i japin rëndësi normalizimit të marrëdhënieve me Arabinë Saudite të Sheriatit, sepse aty shohin interes kombëtar kundër Iranit dhe dobi të tjera, gjë që Izraeli e ka dëshmuar edhe në Azerbajxhan me dërgimin e armatimit dhe instruktorëve izraelitë, sepse një Azerbajxhan më i fortë është i dobishëm edhe si kundërpeshë e Iranit. Kështu, nëse politikanët shqiptarë mund të nxjerrin ndonjë përfitim nga Shteti i Izraelit, duke i prekur te ndonjë interes i përbashkët kombëtar, dhe arrijnë të tërheqin turistë apo investitorë izraelitë, në rregull, u lumtë. Por, vardisja aq e gërditshme e politikanëve shqiptarë nuk arsyetohet në asnjë moment ndaj asnjë shteti, nuk arsyetohet aq më pak ndaj një shteti si Izraeli që mban nën okupim një territor tjetër dhe popullsisë vendase i ka pamundësuar jetë normale dhe, në veçanti, është e neveritshme kur kjo bëhet përderisa Izraeli zhvillon një fushatë gjenocidale me lloj-lloj shkeljesh të rënda, që kanë nxitur kritikat e shumë qeverive perëndimore dhe miliona njerëzve të ndërgjegjshëm nëpër botë. /revistashenja