Zemaj jep lajmin e shumëpritur për vaksina

Ministri në detyrë i Shëndetësisë Armend Zemaj, ka komentuar thirrjen për vaksinimin e mjekëve nga Kosova të kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama.

Zemaj në Info Magazinë në Klan Kosova tha se kjo thirrje është bërë nga shteti shqiptar në formën humanitare.

Ai theksoi se sipas konfirmimit zyrtar nga ana e homologes së tij shqiptare Ogerta Manastirliu, janë 50 vaksina për profesionistët shëndetësor kosovarë.

“Jo nuk ka shkresë zyrtare. Ne kemi qenë dhe jemi në komunikim të vazhdueshëm me homologët tanë, me ministrat e Shëndetësisë së rajonit, në këtë aspekt edhe ministrin e Shëndetësisë së Shqipërisë. Ka dy-tri ditë që na janë adresuar me një kërkesë humanitare që ne mund t’i dërgojmë në Kukës për vaksinim disa mjekë apo profesionistë shëndetësor që janë në përballje direkt me pandeminë COVID-19. Sigurisht që në aspektin humanitar ne e çmojmë. Tani është ofruar edhe data e ardhjes së vaksinave. Unë i shpreh falënderime e mia”.

“Jo, unë ju kisha lut që gjërat të shikohen në aspektin e komunikimit zyrtar. Duhet të merrni informacione. Më vjen mirë që edhe ju keni shprehur interesim. Edhe kjo logjikë që menjëherë të mendohet negativisht, reagimet që i dëgjova edhe nga Federata. Unë si ministër i jam drejtuar Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar që ta bëjnë një listë të mjekëve që duan të shkojnë të vaksinohen. Vaksinat e ofruara janë diku për 50 persona”.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë shtoi se vaksinimi i popullatës së Kosovë bëhet sipas prioriteteve, por se ky proces mbetet vullnetar.

Zemaj foli po ashtu edhe për arritjen kontingjentit të parë të vaksinave në Kosovë.

Ai tha se nesër do të fillojnë përgatitjet për Qendrën e Vaksinimit e cila do të jetë në sallën “1 tetori”.

“Ne nesër do t’i fillojmë përgatitjen e Qendrës së Vaksinimit, që do të jetë salla “1 tetori. Të shohim, iu kemi afruar datës për ardhjen e kontingjentit të parë të vaksinave. Më datën 17 del kontingjenti i prodhuar për Kosovën. Është më pas çështje ditësh, transporti dhe gjithçka do të jetë e gatshme për arritjen e 33 mijë e 600 dozave të para, do të vijnë edhe 66 mijë e 900 të tjerat”, ka thënë Zemaj.

Ai ka thënë se komunikimi me prodhuesit për blerjen aktive është i vazhdueshëm dhe kërkon angazhim të vazhdueshëm deri në gjetjen e një rruge ma të mirë për përfundimin e këtij procesi.