Zgjedhjet në Pakistan, ish-sportisti në krye të vendit

Rezultatet paraprake në zgjedhjet kombëtare në Pakistan tregojnë se ish-ylli i kriketit, Imran Khan, pritet të fitojë zgjedhjet, por pa mundur që të marrë shumicën absolute.

Me rezultatet jo zyrtare pas numërimit të pothuajse gjysmës së votave, partia e Khan është në avantazh, por rivalët akuzojnë për një manipulim të madh të procesit. Në anën tjetër, zyrtarët e zgjedhjeve mohojnë të ketë pasur manipulime, duke thënë se janë shënuar vetëm probleme të thjeshta teknike.

Dita e votimit u përgjak, me shumë persona të vrarë në një shpërthim pranë një qendre votimi. Khan, i diplomuar në Oksford, që udhëhoqi Pakistanin drejt fitores në Kupën e Botës së Kriketit në vitin 1992, hyri në politikë në vitin 1996, por për vite të tëra nuk mund të dilte nga prapaskenat. Në prag të këtyre zgjedhjeve, 65-vjeçari u përball me akuza se kishte përfituar nga ndërhyrja e ushtrisë kundër rivalëve të tij.

Këto zgjedhje shënojnë vetëm herën e dytë kur një qeveri civile i dorëzon pushtetin një qeverie tjetër, pas një mandati të plotë në Pakistan. Por, partia e ish-kryeministrit Navaz Sharif, deri më tani, kundërshton rezultatet. Partia e ish-kryeministres së vrarë Benazir Bhuto pritet të renditet e treta.

Ajo kryesohet tani nga djali i saj, Bilal Bhutto Zardari, një 29-vjeçar i diplomuar po në Oksford./tch